Bamir Topi ka sfiduar fuqishëm Sali Berishën, në katër ditët e fundit të
tij në detyrën e Presidentit të Republikës. Kreu i shtetit shqiptar ka
dekoruar dje me “Medaljen e Mirënjohjes”, Hysen Shoshorin, ish të
burgosurin politik i cili ka akuzuar Kryeministrin Sali Berisha, si
personin që ka dëshmuar në gjyqin e tij gjatë diktaturës dhe ka ndikuar
në dënimin e tij me vdekje, që më pas u kthye me burgim të gjatë.

Në njoftimin e shkurtër që faqja e internetit të Presidencës jep për dekorimin e Shoshorit theksohet: “Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i akordoi z. Hysen Shoshori ‘Medaljen e Mirënjohjes’ me motivacionin: ‘Për sakrificat dhe qëndresën e papajtueshme ndaj diktaturës komuniste, për aktet kurajoze dhe angazhimin jetësor në mbrojtje të vlerave të lirisë dhe demokracisë’”. Po dje, kreu i shtetit shqiptar ka dekoruar edhe 32 persona të tjerë, ish të përndjekur politikë, që janë shquar për qëndresën e tyre ndaj diktaturës. Hysen Shoshori u arrestua nga regjimi komunist pas një aktiviteti të fortë, ku demaskonte me trakte publike diktaturën e Enver Hoxhës.

I cilësuar si një nga antikomunistët më të vendosur në të gjitha vendet e Lindjes, Shoshori për 13 vite me radhë shtypi dhe shpërndau i vetëm 41.100 trakte, ku bëhej thirrje për rrëzimin e regjimit komunist të Enver Hoxhës. I arrestuar gjatë operacionit të Sigurimit të Shtetit, i koduar me emrin “Kafka”, Hysen Shoshori iu nënshtrua një hetimi special për më shumë se gjashtë muaj, duke u mbyllur disa herë i gjallë në një arkivol nga hetuesit e Sigurimit. Pas ardhjes së demokracisë, Shoshori dha një intervistë në një gazetë të ish të përndjekurve politikë, “Fjala e Lirë” në vitin 2002. Ajo ishte realizuar nga bashkëvuajtësi i burgut me Shoshorin, Skënder Tufa. I pyetur se kush ishte njeriu që dëshmoi kundër tij në gjyq, Shoshori tha: “Ky njeri, i cili është një komunist pasionant e fanatik i pandreqshëm, që për me arrit në majat më të larta të hierarkisë së pushtetit komunist ka përdorur dhe traktin tim, duke ndikuar drejtpërdrejtë në dënimin tim me vdekje, ishte Sali Ram Berisha.

M’u kujtua që ky emër, ishte i asaj fizionomie që thoshte për mua ‘të varet në litar’”. Por edhe personi që realizoi intervistën me Shoshorin, Skënder Tufa, vuajti pas kësaj interviste. Ai u arrestua dhe u burgos në vitin 2005. Tufa deklaroi se gjithçka e kurdisi ish-bodigardi i Kryeministrit, Agron Kuliçi, aktualisht një nga zv.drejtorët e Policisë së Shtetit. Akuzat e Shoshorit janë mohuar publikisht nga Kryeministri Sali Berisha, i cili i ka quajtur “shpifje të ulëta”.

Gazeta “Shqip”

Top Channel