Rruga, banorët të frikësuar

21/07/2012 16:40

Ndonëse pak ditë më parë, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, kryetari Lulzim Basha deklaroi se ka patur një konsultim të gjerë me banorët per zgjerimin e rrugës nga Pallati i Brigadave përtej Saukut, banorët dhe pronarët e biznesve të këtyre zonave ende nuk kanë asnjë informacion.

Të pyetur për këtë çështje nga Top Channel, ata shprehen të frikësuar për fatin e pronave, prishjen dhe kompensimin.

“S’na kanë njoftuar nëse rruga do të kalojë këtej, s’e di. Patjetër që ndihemi të frikësuar”, përgjigjet një banore.

“Thuhet që rruga do të kalojë këtej, por as kanalizime s’kanë bërë, asgjë. Sigurisht që ndihem i frikësuar”, shprehet ndërkohë një banor tjetër.

“Pjesërisht na është komunikuar lajmi. Një inxhinier na i ka thënë”, thotë më tej një banor, të cilit mund t’i rrezikohet biznesi.

Veç thashetheme dhe informacioneve nën zë banorët nuk kanë marrë asnjë njoftim zyrtar, as për hapësirat që do të preken nga punimet dhe as për përmasat.

“Nuk di gjë nëse do na paguajnë apo jo. S’na kanë dhënë asnjë përgjigje”, thotë më tej një prej banorëve. “Nuk jam dakord të jap pronën time, përveçse nëse jepet një kompensim i përshtatshëm”, thekson një tjetër.

Mbledhja e dy ditëve më parë e Këshillit Bashkiak për këtë çështje u zhvillua me debate të ashpra, të cilave nuk u shpëtoi as Kryetari i bashkisë, Lulzim Basha.

Gjithashtu, projekti për zgjerimin e rrugës Tiranë-Elbasan prej disa javësh ka qenë në qendër të debateve publike mes shoqërisë civile dhe pushtetit qëndror e atij lokal.

Top Channel