Debati në Këshill për imunitetet

21/07/2012 00:00

Këshilli i Legjislacionit i Kuvendit të Shqipërisë, për rreth 6 orë dëgjoi mendimet e ekspertëve të PACA-s dhe EURALIUS, përfshirë ato të institucioneve kushtetuese dhe grupeve të interesit që preken nga propozimet për ndryshimet kushtetuese që lidhen me imunitetet.

Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli në fillim të dëgjesës publike u shpreh se PD ka përshtatur draftin e ekspertëve të EURALIUS dhe PACA-s.

Nënkryetari socilist i komisionit të ligjeve, Fatmir Xhafaj më pas tha se kemi të drejtë për të pyetur për çdo presje në lidhje me këtë draft.

Sipas Tilman Hoppe, ekspert i PACA-s, propozimet e dy partive i arrijnë qartë standartet e kërkuara. Ai dha sqarime të detajuara duke iu referuar praktikës ndërkombëtare për arrestimin e një deputeti, përfshirë shpifjen kur konsumohet nga deputetët.

“Në praktikën ndërkombëtare, prokurorët lejohen të kontrollojnë banesën e një deputeti. Kontrolli i banesës së deputetëve duhet të parashikohet në Kodin Penal dhe jo në Kushtetutë. Parlamenti duhet të vihet në dijeni në momentin që po bëhet arrestimi i një deputeti. Nuk nevojitet klauzolë për kapjen në flagrancë, pasi kjo parashikohet automatikisht. Shpifja është një çështje delikate pasi deputetët, sipas eksperiencës europiane, është më mirë të thonë diçka edhe nëse nuk është e vërtetë sesa të mos kenë të drejtën e fjalës”, deklaroi Hoppe.

Joaquin Urias, ekspert nga EURALIUS, ka shpjeguar propozimet që lidhen me Gjykatën e Lartë, duke propozuar kthimin e saj në një gjykatë karriere, ndryshe nga ai i sotmi kur anëtarët e saj zgjidhen nga Parlamenti.

Shefja e Akuzës shqiptare, Ina Rama tha se draftet e paraqitura nga PD dhe PS i shërbejnë qëllimit të organit që ajo drejton, por nevojitet një paketë me ndryshime në Kodin e proçedurës Penale.

“Paketa kushtetuese mund të shoqërohet me ndryshime proçeduriale për të saktësuar atë që përdoret për imunitetin. Ose kufizimet të sqaroheshin edhe më tej”, deklaroi kryeprokurorja.

Avokati i Popullit, Igli Totozani, së bashku me kryetarin e KLSH-së Bujar Leskaj, shprehën shqetësimin në lidhje me heqjen e imunitetit këtyre dy organeve.

“Vura re në draftet e ardhura që u ishte hequr mbrojtja dy institucioneve tona. Risku që në punën tonë të gjendemi përballë presioneve abuzive nuk është i vogël”, deklaroi Totozani.

“Theksoj mosdakordësinë time për shfuqizimin e nenit të kontrollit të KLSH-së, që ka gjetur mbështetjen e deputetëve të PD dhe atyre të PS”, theksoi nga ana tjetër kreu i KLSH-së, Bujar Leskaj.

Kjo dëgjesë publike vijoi me dhënien përgjigje të pyetjeve të anëtarëve të Këshillit të Legjislacionit nga një grup konstitucionalishtësh dhe ekpertësh të fushës.

“Është e drejtë e Parlamentit që për anëtarët e vetë të vendosë. Sepse Kuvendi nuk është vend për të mbrojtur deputetin si individ. Kryesorja është funksionimi normal i Parlamentit. Nuk duhet përdorur gjithmonë Gjykata e Lartë për çështje të tilla, mund të përdoren edhe ato më të ulëta. Gjykata e Lartë është organi kryesor, që kryeson dhe nxjerr akte të konsiderueshme për gjykata më të ulëta”, deklaroi eksperti Rustem Gjata.

Në fund të dëgjesës, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli kërkoi nga relatorët Pandeli Majko dhe Edi Paloka që të përfshijnë sugjerimet e marra në relacionin e tyre.

Top Channel