
Për heqjen e imunitetit janë në tavolinë dy projekte, pasi ajo e Lëvizjes Socialiste për Integrim u hoq nga diskutimi për shkak se u klasifikua si e mangët procedurialisht, duke qenë se i mungonin 28 firma.
Dy projektet ndryshojnë nga njëri-tjetri, të paktën në një përkufizim të rëndësishëm. Projekti i demokratëve, të cilët kanë përshtatur në shqip draftin e Euralius-it, zyrës për asistencën në drejtësi që Bashkimi Europian i jep Shqipërisë dhe PACA-s, projektit anti-korrupsion të Këshillit të Europës për Shqipërinë, përcakton heqjen e plotë të imuniteteve për deputetët dhe ministrat.
Kjo do të thotë se ata, sipas ligjeve në fuqi, mund të merren në ndjekje penale dhe civile, mund të arrestohen dhe mund t’u kontrollohet banesa, për cdo lloj akti të kryer, përvec mendimeve dhe votës që japin në parlament.
Ndërsa projekti i socialistëve nuk kërkon heqjen e plotë të imunitetit, duke mbajtur të paprekur deputetin apo ministrin nga arrestimi apo kontrolli i banesës. Sipas socialistit Fatmir Xhafaj që bëri prezantimin e projektit, ky përkufizim mbron deputetët nga goditjet eventuale politike.
“Amendimi që ne bëjmë është se për shkak të funksionit dhe detyrës që ka deputeti, por mbi të gjitha me qëllimin që të kemi mirëfunksionimin e parlamentit dhe duke mbajtur në konsideratë standardet e aplikuara edhe në vendet e tjera europiane, si dhe situatën ku gjendet funksionimi i shtetit të së drejtës në vendin tonë, është e nevojshme që të ketë disa garanci nga veprime e caktuara proceduriale, që mund të nxiten nga hetimet selektive dhe elektorale, si rrjedhojë e luftës së brendshme politike. Këto garanci proceduriale do ta ndihmonin opozitën që të kryente lirisht funksionet e veta”, tha deputeti Xhafaj.
Në projektin e Euralius-it, të cilin demokratët e kanë dorëzuar si nismë për heqjen e imuniteteve, këto garanci sigurohen me vendim të parlamentit, i cili kur gjykon se sjellja e një organi ndaj një deputeti po pengon funksionimin e Kuvendit, i kthen imunitetin deputetit.
Të shtunën, përvec insitucioneve dhe ekspertëve shqiptarë, do të dëgjohen në seancë të vecantë edhe Euralius dhe PACA, duke e bërë debatin kushtetues edhe më interesant.
Pas seancës dëgjimore relatorët Edi Paloka dhe Pandeli Majko do të punojnë për të paraqitur një variant të përbashkët. Por do të duhen edhe disa ditë për ta mësuar, nëse demokratët dhe socialistët do të gjejnë konsensus në trajtimin e cështjes së imuniteteve.
Top Channel