Kundërshtohet ndryshimi i Kushtetutës

20/07/2012 00:00

‘Forumi Civil 2010’, krijuar nga dy ish-presidentet Alfred Moisiu dhe
Rexhep Meidani gjate nje tryeze diskutimi per ndryshimet e pritshme te
Kushtetutes, fajesuan klasen politike, se eshte duke bere po te njejtin
gabim si ne 2008-en, kur Kushtetuta pesoi disa ndryshime.

Konstitucionalistet dhe antaret e shoqerise civile apeluan per nevojen e nje diskutimi te pjekur qytetar. Sipas tyre nuk duhet toleruar ngutja, qe po vihet re ne kryerjen e ketyre ndryshime ne emer te integrimit europian. Gjate tryezes eshte kritikuar edhe roli ambasadoreve, te cilet per fatet kushtetuese te shqiptare vendosin afate, se kur duhet te ndodhin ndryshimet.

“Kushtetuta po kthehet gati një leckë që me të mund të bëhet cdo gjë dhe kur të duash dhe kjo ndodh në një kohë kur ka kritika, si nga opinioni publik vendor dhe ndërkombëtar, që ndërhyrjet në Kushtetutë duhet të bëhen të matura dhe të studiuara, pa u ngutur, kritika këto të pranuara edhe nga studiuesit e intelektualët dhe persona të rretheve të interesuara”, tha ish-presidenti Moisiu.

“Ndodhemi përpara dy opsioneve. Kemi heqje të imunitetit, që do të thotë zerim i tij apo kufizim i imunitetit, por këto janë dy cështje të ndryshme dhe duhen analizuar më vete. Duhet të dijmë se cfarë pasojash do të vijë nga zero imunitet dhe cfarë pasojash ka kufizim imunitet. Sikur edhe një presje të duam të ndryshojmë në Kushtetutë duhen bërë analiza të raporteve të këtij ndryshimi, me raportin e ndryshimeve që sjell në përgjithësi në kuadrin e sistemit, sepse Kushtetuta është një sistem, që nëse ne lëvizim edhe diçka të vogël, absolutisht mund të krijojmë boshllëqe të tilla që rrëzojnë stivën”, tha Aurela Anastasi, konstitucionaliste.

“Përshëndet faktin që këto ndryshime në imunitet të bëhen në mënyrë Kushtetutese dhe që maxhoranca hoqi dorë nga orvatja e saj për ta bërë thjesht një vendim të Kuvendit, ose në një ligj organik. Eshtë e vërtetë që Komisioni i Venecias la një shteg në vitin 2006, që në fund të fundit mund të bëhej heqja e imunitetit ose kufizimi i tij, qoftë edhe me një marrëveshje dypalëdhe dhe me një organikë, por vetë Komisioni pohoi se kjo ishtë një lëvizje e sforcuar”, tha konstitucionalisti Luan Omari.

“Shoh me shqetësim se po jepen ‘argumenta’ se përse kjo duhet bërë me shumë shpejtësi. P.sh Kryeministri i vendit, mendoj që jep disa argumenta thuajse vulgare, demagogji e vërtetë, të barazojmë qytetarët me politikanët. Në rast se duan vërtetë ta barazojnë qytetarin me politikanin, pse nuk shohin problemin e rrogave, pse nuk barazon Kryeministri rrogën e tij me atë të qytetarit? Sot është shumë e nevojshme të kufizohen imunitetet në disa aspekte, për shkak të një korrupsioni galopant, por propaganda qeveritare po bën një diçka të paparë ndonjëherë. Duket sikur imunitetet po hiqen që të luftohet korrupsioni i opozitës. Gjeneratorja kryesore e korrupsionit është qeverisja, sidomos kur qeverisja e saj po arrin në 8 vjet”, tha analisti Andrea Stefani.

Top Channel