Inspektim nga ajri për kanabis

20/07/2012 00:00

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj dhe zëvendësambasadori italian, Giuseppe Berlendi kanë inspektuar monitorimet e territorit nga ajri për identifikimin e zonave të kultivimit të kanabisit.

Operacioni i përbashkët i policisë shqiptare dhe italiane ka nisur në 4 korrik dhe si pjesë e marreveshjes Guardia di Finanzza ka vënë në dispozicion 2 avionë të specializuar për fotografimin dhe identifikimin e bimëve narkotike.

“Ne vijojmë operacionin në bashkëpunim me policinë italiane për të monitoruar tërësisht territorin shqiptar në luftë kundër kultivimit të kanabis sativa. Janë dy avionë teknologji e fundit që me anë të rrezeve dhe ngjyrës fikson cdo bimë kanabis sativa”, thotë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.

Pas kostantimit të bimeve të kanabisit operacioni vijon me ndërhyrje nga toka për asgjesimin e bimëve të lokalizuara. Ky lloj monitorimi vë para përgjegjësisë kryepleqtë apo punonjësit e policisë që nuk raportojnë për bimët narkotike që mbillen në zonat e tyre në një kohë që ‘thembra e Akilit’ mbetet gjithmonë Komuna e Lazaratit.

“Unë konfirmoj me kënaqësi se situata është krejt ndryshe nga vitet e mëparëshme, shumë herë më pozitive edhe në Komunën Lazarat. Kryetari i Komunës, ndryshe nga herët e tjera, këtë vit ka dhënë informacione të detajuara, ka shkuar më tej duke shkuar vetë bashkë me policinë për ta asgjesuar. Do të ketë dhe do të vijojë dhe ne nuk tërhiqemi për asnjë moment deri në arritjen e objektivave strategjikë”, deklaron Burgaj.

Pas përfundimit të hartës së drogës në territorin tonë pritet që të vijojnë ndërhyrjet nga toka dhe sipas Burgajt Shqipëria të dalë përfundimisht nga lista e kultivuesve apo trafikuesve të kanabis sativës.

Top Channel