Edhe pas dorëheqjes, në detyrë

18/07/2012 23:50

Drejtori i Shërbimit Informativ Ushtarak, Ylli Zyla edhe pse ka dhënë dorëheqjen pas zbulimit të skandalit të armëve, vijon të jetë ende në detyrë.

Kjo mësohet nga një letër që vetë ai i ka nisur komisionit parlamentar të sigurisë, letër e cila është lexuar në pjesën e mbledhjes me dyer të mbylla të ditës së mërkurë.

Në letrën që Zyla i drejton deputetëve të këtij komisioni, shpreh shqetësimin për sulmet që media, por edhe lideri i opozitës, Edi Rama i kanë bërë atij pas dorëheqjes nga detyra e Drejtorit të SHIU-ut.

Këto sulme sipas zotit Zyla cënojnë rëndë jo vetëm figurën e tij, por edhe të institucionit që ai përfaqëson.

Letra është lexuar para deputetëve në komision ku ka qenë i pranishëm edhe Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, letër e cila mbyllet me nënshkrimin: Drejtori i Shërbimit Informativ Ushtarak, Ylli Zyla.

Ky fakt ka bërë që nënkryetari i komisionit parlamentar të sigurisë kombëtare, Ilir Gjoni t’i kërkojë sqarime Ministrit Imami, se si drejtori i dorëhequr i SHIU-t, nënshkruan sikur të jetë ende në detyrë. Por ministri  Imami nuk dha asnjë sqarim për këtë cështje.

Opozita po ashtu ka informacion se zoti Zyla pas dorëheqjes, ka vijuar të ushtroje detyrën, ose më së paku ai është paraqitur cdo ditë në institucion.  

Ylli Zyla dha dorëheqjen si Drejtor i Shërbimit Informativ Ushtarak, mbrëmjen e 5 korrikut pas akuzave në media se bashkëshortja e tij ishte ortake në tregtinë e armëve në Shqipëri dhe se ai kishte konflikt interesi për faktin se  bashkëshortja është bashkaksionere në dy kompani të licensuara në Ministrinë e Mbrojtjes për të eksportuar armatime.

Tekstin e dorëheqjen ai ia paraqiti Ministrit të Mbrojtjes Arben Imami dhe kryeministrit Sali Berisha.

Top Channel