Avokati i Popullit: Hetoni 5 policët e dhunshëm

27/05/2012 00:00

Institucioni i Avokatit të Popullit, nëpërmjet një shkrese zyrtare, i ka rekomanduar drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës që të nisë hetimet për veprën penale të torturës të kryer në bashkëpunim ndaj pesë efektivëve të policisë së institucionit të paraburgimit 313 në kryeqytet.

Sipas rekomandimit të Avokatit të Popullit, efektivët e denoncuar dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj dy personave të paraburgosur të cilët janë vëllezër. Nga verifikimet paraprake të Avokatit të Popullit, rezulton se njëri prej vëllezërve të paraburgosur kishte kërkuar ndihmë mjekësore.

Pasi ishte shoqëruar në dhomën e ndihmës mjekësore, dy punonjës të policisë që e shoqëronin kishin ushtruar dhunë ndaj tij. Pasi e kishin kthyer në dhomë i dhunuari i kishte treguar të vëllait që ndodhej edhe ai në paraburgim.

Ky i fundit ka filluar të bërtasë dhe të përdorë fjalor fyes ndaj efektivëve të sigurisë së burgut. Për këtë arsye ai është marrë nga dhoma dhe është dërguar në qelinë e izolimit, ku dyshohet se edhe ndaj tij ishte ushtruar dhunë, duke e goditur me shkopa gome në shputat e këmbës dhe dorës si dhe dëmtime të tjera në pjesë të ndryshme të trupit.

Top Channel