Dajti sfidon drejtësinë

24/05/2012 19:25

Përmes një deklarate për shtyp, Gjykata e Krimeve të Rënda i është drejtuar strukturave më të larta të drejtësisë, për të çbllokuar procesin ndaj Dritan Dajtit dhe bashkëpunëtorëve të tij, të akuzuar për vrasjen e katër agjentëve të policisë.

”Sërish për të trembëdhjetën herë rradhazi, gjykimi ndaj këtyre të pandehurve është shtyrë për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës të zgjedhur nga të pandehurit dhe të caktuar kryesisht nga gjykata”, theksohet në deklaratën e gjykatës.

Sipas saj, procesi ndaj këtyre të pandehurve ka filluar më datën 11.12.2009 dhe megjithë përpjekjet e gjykatës për të  zhvilluar dhe përfunduar gjyqin në një kohë të arsyeshme, nuk ka qëne e mundur për shkak të mungesave të qëllimshme të avokatëve mbrojtës.

Në deklaratën e saj, gjykata thekson se, për të disatën herë ka njoftuar dhomën kombëtare të avokatisë, Ministrinë e Drejtësisë dhe instanca të tjera të larta për të marrë masat ndaj avokateve që sabotojnë procesin gjyqesor.

”Mungesa e avokatëve mbrojtës, në mënyrë të herëpasshershme është nje sfidë për gjykimin e çështjeve të tilla, me pasojë vrasjen e katër punonjesve të policisë, çka përben cënim të integritetit të Gjykatës”, theksohet në këtë deklaratë.

Për këtë arsye, Gjykata e Krimeve të Rënda reagon dhe një herë me forcë për zhbllokimin e kesaj situate, duke kërkuar që Dhoma e Avokatisë Tiranë, Dhoma Kombëtare e Avokatisë të marrin masa dhe të shqyrtojnë ankesat e Gjykatës për sjelljet e avokatëve duke filluar procedurat disiplinore për avokatët e këtij procesi që veprojnë në  kundërshtim me dispozitat ligjore.

Top Channel