Emërimet në ushtri, PS: Po shkelet Kushtetuta

03/04/2012 00:00

Deputeti i Partisë Socialiste Pirro Lutaj i ka bërë thirrje Presidentit
të Republikës dhe Kryeministrit të vendit të reagojnë dhe të ndalojnë
emërimet e ministrit të Mbrojtjes Arben Imami në ushtri, sipas tij, në
shkelje të rëndë me Kushtetutën.

“Unë kam kërkuar që të reagojë Presidenti i Republikës, sepse ky quhet një krim kushtetues, kam kërkuar që të reagojë Kryeministri i vendit sepse ky është një puç institucional, kam kërkuar të reagojë ministri i Mbrojtjes, që të bllokojë menjëherë urdhërin e lëshuar për emërimin e Komandantit të Forcave Detare dhe të bëjë praktikën për t’ia cuar këtë Presidentit të Republikës. Urdhërat e kundraligjshëm, të lëshuar nga këto institucione, të bëhen objekt i parandalimit të tyre nga Presidenti i Republikës, i cili ka autoritetin e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe institucionet ligjzbatuese të Shqipërisë duhet të reagojnë, pasi shkeljet janë të dukshme, janë objekt i procedimeve penale mbase edhe kryesisht”, tha Lutaj.

Deputeti i bëri thirrje edhe oficerit te emëruar ne detyre si Komandant i Flotës Detare, te mos e ushtroje funksionin, ne te kundert do te ndiqet penalisht.

“I kam bërë thirrje, kapitetit të rangut të parë, Ferdinant Kreshmja, i cili është emëruar në detyrë nga ministri i Mbrojtjes në kundërshtim me Kushtetutën që të mos e ushtrojë këtë kompetencë, pasi që në aktin e parë që do të firmosë, me autoritetin e Komandantin e Flotës, ai do të dënoncohet penalisht, pra do të bëhet objekt i procedimit penal, për ushtrim të një funksioni të marrë në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e vendit”, tha Lutaj.

Top Channel