Topi: Kontroll universiteteve private

07/03/2012 00:00

Kryetari i shtetit Bamir Topi, gjatë dekretimit të 10 rektorëve të
universiteteve publike është ndaluar në rëndësinë e cilësisë së
diplomave që ato lëshojne.

Presidenti kritikoi sistemin universitar privat dhe kërkoi ushtrimin e kontrollit mbi universitetet private.

“Unë këtë ditë dëshiroj gjithashtu ta ndaj me ju edhe për një problem tjetër që është shumë sinjifikativ, për kontrollin e diplomave që vijnë nga universitetet. Besoj e kuptoni fare mirë mesazhin tim. Unë jam Presidenti i Republikës, jam Kryetari i Shtetit, dhe bëhem interpret i zërit të çdo qytetari. Kjo natyrisht shkon më shumë në përgjegjësinë e universiteteve private, që duhet të kenë një përgjegjësi të jashtëzakonshme qytetare, në radhë të parë, përpara ligjit, përpara moralit. Studentët që shkojnë nëpër universitete, natyrisht nisen nga predispozita të barabarta. Ata që shkojnë në universitete publike sigurisht që janë ata që i nënshtrohen një procesi të seleksionimit dhe besoj, edhe të meritës”, tha Topi.

Kryetari i shtetit ka theksuar se te rinjte qe perfundojne arsimin e larte ne universitetet private, shpesh kane rezultate më të larta edhe pse jo te merituara.

“Disa që mund ta marrin në mënyrë më pak të merituar, mund të prezantohen me listë notash shumë më të mira se ata që marrin diplomën mbi bazën e një pune shumë serioze, stërmunduese do të thoja, e s’mund ta bëjë një njeri i vetëm, absolutisht. Kjo është çështje e një sistemi akademik, e një kontrolli, e një sinqeriteti dhe besoj që ata që mund ta bëjnë më mirë këtë punë, jeni ju të rretheve akademike, që duhet ta zhvilloni debatin të hapur, sepse diplomimi është shumë i rëndësishëm”, u shpreh presidenti.

Në këtë takim presidenti ka kërkuar nga rektorët e sapodekretuar, që ata të luftojnë më shumë për një sistem arsimor të drejtë dhe të fortë.

“Kam bindjen dhe shpreh sigurinë, që të gjithë pas dekretimit të sotëm do të punojmë në respekt të ligjit për të realizuar atë mision që universitetet publike kanë ndaj shoqërisë”, tha rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule.

Nje pjese e madhe e rektoreve te dekretuar kane fituar mandatin e dyte per te drejtuar universitetet publike ne gjithe vendin.

Top Channel