Korçë, terror me armë në qytet

20/02/2012 00:00

Një biznesmen ka qëlluar me armë zjarri një person në qendër të qytetit të Korçës, pas një konflikti personal, duke terrorizuar banoret por fatmirësisht pa lënduar njeri.

Sipas të dhënave paraprake, personi i identifikuar si Alban  Bregu ka qëlluar në drejtim të një personi tjetër pasi ishte konfliktuar me të disa ditë më parë.

Shkak për konfliktin mes dy personave duket se është bërë ngacmimi i bashkëshortes së biznesmenit 38-vjeçar, i cili ka në pronësi një prej agjencive funerale të qytetit të Korçës, si edhe një restorant në rrugën nacionale në drejtim të Pogradecit.

Pasi ka qëlluar dy herë, 38-vjeçari ka qëndruar me armën e tij tip “shotgun” për disa minuta nëpër trotuaret e qytetit, duke terrorizuar edhe kalimtarët deri në mbërritjen e forcave të policisë dhe më tej është vetëdorëzuar.

Sipas të dhënave të policisë, të dy personat kanë qenë të shoqëruar pak ditë më parë në polici për shkak të konfrontimit për këtë konflikt, por ende nuk bëhet i ditur identiteti i personit tjeter.

Burime nga policia bëjnë me dije se është duke u punuar për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Top Channel