VV: Protesta do të jetë paqësore

13/01/2012 00:00

Lëvizja Vetëvendosje garanton se aksioni “Serbia nuk kalon” do të jetë një protestë paqësore. Për të siguruar që asgjë mos dalë jashtë kontrollit, në terren janë caktuar 200 persona, të cilët do të jenë kujdestarët e Vetëvendosjes në dy portat kufitare me Serbinë.

“Nuk do ta pengojmë qarkullimin e lirë të qytetarëve, por do bllokojmë hyrjen e Serbisë në Kosovë. 200 kujdestarë do kujdesen që protesta të jetë paqësore dhe jo e dhunshme”, deklaroi në një konferencë për shtyp kryetari Albin Kurti.

Sipas Kurtit, të shtunën do të fillojë ndalimi i hyrjes së mauneve me mallra serbe dhe ky reciprocitet është vlerë europiane, ndërsa, po sipas tij, qeveria e Kosovës është rebeluar meqë nuk po e zbaton vendimin e Kuvendit për reciprocitet.

Ndërsa, deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi është shprehur se nuk do t’i jepet mundësia Policisë së Kosovës që të ndërhyjë, sepse ata do të jenë të qetë.

“Në asnjë moment policia nuk do të ketë nevojë të përdorë forcën, ashtu sikurse ndonjëherë e ka paralajmëruar me tendencë ministri i Brendshëm, pasi ajo nuk do të provokohet”, deklaroi Selimi.

Selimi i është kundërpërgjigjur edhe akuzave të kryeministrit Thaçi, i cili ditë më parë u shpreh se në Vetëvendosje ka njerëz që kanë refuzuar të veshin uniformën e UÇK-së, duke thënë se kryeministri duhet ta kujtojë luftën për të ditur se kush ka qenë ushtarë?!

Një ditë para bllokimit të portave kufitare, aktivistët e Vetëvendosjes realizuan një aktivitet simbolik ku hodhën para qeverisë që drejtohet nga Hashim Thaçi, biskota serbe që sipas tyre do të jenë të fundit, meqë kryeministri do të mbet pa to.

Biskotat u morën, siç thanë aktivistët, nga një shitës në Prishtinë, i cili ka vendosur të mos shesë më produkte serbe.

Top Channel