Altin Kreka – Sa më shumë maturohet njeriu kupton se askush nuk është perfekt në jetën
e vdekshme. Perfektë në përsosmërinë e tyre janë vetëm engjëjt me
mirësinë dhe djajtë me ligësinë, por askush nga njerëzit që njohim nuk
është as i mirë dhe as i keq tërësisht.

Duke lexuar diku një përcaktim të ngjashëm ku thuhej se edhe te një kriminel gjen qëllime të mira dhe jo më te njerëzit e zakonshëm, mendova se ky nivel i lartë urrejtje në këtë vend e ka sekretin diku tjetër. Sekreti është te mungesa e dialogut dhe arsyetimit me logjikë të ftohtë, te mungesa e vetëpërmbajtjes që na shpëton nga rreziku i përshkallëzimit të konfliktit të vazhdueshëm, njerëzor, social, politik, institucional. Dhe në këtë mungesë dialogu ndodh gjithçka ku më e rrezikshmja është humbja e arsyes dhe verbimi nga emocionet e momentit. Michael Moore, autori i të famshmit dokumentar “Fahrenheit 9/11”, kur portretizon ndryshimin mes mentalitetit luftarak amerikan dhe paqes mitike kanadeze shkruante se kanadezët kur kishin probleme me njëri- tjetrin, fjala e parë që thonë është: Le të bisedojmë. Në mentalitetin tonë kombëtar është ngulitur thellë e bërtitura dhe mungesa e dialogut, veprimet e nxituara dhe vendimet emocionale. E gjithë kjo na ka sjellë mungesë lirie, autoritarizëm, abuzim dhe ka ndikuar mjaftueshëm në shumë të këqija të tjera që vuan ky vend. Mungesa e dialogut ka bërë që shumë mosmarrëveshje dhe konflikte të përfundojnë në ndarje ekstreme. Mungesa e dëshirës për të dëgjuar dhe kuptuar njëri-tjetrin na sjell çdo ditë dëme shumë të mëdha. Parlamenti ynë quhet Kuvend, por në atë vend vetëm Kuvend nuk ka dhe ai është shembulli më i mirë se si funksionon e gjithë politika dhe jeta në Shqipëri. Nëse shikon me sytë e Berishës dhe Ramën secilin prej tyre, askush nuk duket si njeri, por si engjëj dhe djaj. Por kush është engjëlli dhe kush djalli? Asnjëri, që të dy janë njerëz të mitizuar shumë nga fanatikët që ju shkojnë nga pas, ashtu siç u mitizuan të tjerët para tyre dhe ata duke e quajtur veten perfekt gabojnë rëndë, duke na krijuar të gjithëve kosto shumë të mëdha. Për shkak të mungesës së mirëkuptimit, dialogut, secili mendon se është në rrugën e tij të shenjtë dhe shkon thellë e më thellë në këtë rrugë, duke shkaktuar vjedhjen e zgjedhjeve në 2009-n, bojkotin parlamentar, bllokimin e reformave, zhytjen e vendit në krizë ekonomike, keqfunksionim të institucioneve shtetërore dhe terren të lirë hajdutëve, në të gjitha nivelet. Në emër të besnikërisë ndaj liderit dhe luftës ndaj armikut, hajdutët fusin duart kudo, te fondet, punët publike deri te peshorja e bukës. Europiano-perëndimorët ngulojmë në shumë ika, por e para është nisja e dialogut dhe mirëkuptimit. Edhe shenjat e fundit të dialogut në miratimin e disa ligjeve apo zgjedhjes së ndonjë drejtuesi institucionesh janë fare pak, për të mos thënë një lëvizje e detyruar. Mentaliteti për t’i çuar ngjarjet deri në pikën e fundit, do të ridalë në skenë shumë shpejt. Të paktën një vit para zgjedhjeve parlamentare, konflikti mund të rikthehet sërish sepse të dyja palët duan pushtet me çdo kusht. Kjo dramë politikë ndodh për shkak se brenda dy partive më të mëdha që drejtojnë vendin prej 20 vjetësh, nuk ka dialog por vetëm arrogancë në drejtim, nuk ka diskutues, por militantë që qëllojnë çdo zë kundër dhe për këtë kërkojnë shpërblim.

Të gjithë gabojnë. Por të kërkosh falje dhe të japësh falje nuk është dobësi, është ajo rrugë dialogu që s’na lë të mbajmë ngritur pushkën njëri-tjetrit.

Gazeta “Shqip”

Top Channel