Topi përshëndet rivendosjen e dialogut

15/11/2011 00:00

Presidenti i Republikës Bamir Topi përshëndeti rivendosjen e dialogut
politik dhe institucional në Parlament midis mazhorancës dhe opozitës.

Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të Presidencës, kreu i shtetit thekson se dialogu politik për reformat institucionale, edhe pse i vonuar, përbën një detyrim dhe sfidë madhore për politikën shqiptare, në përpjekjet e vendit tonë për arritjen e standardeve ndërkombëtare të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës,- thuhet në deklaratë,- inkurajon forcat politike parlamentare që të ndërmarrin një proces gjithëpërfshirës dialogu. Presidenti Topi thotë se “duhet një vullnet i qartë politik që të bashkojnë energjitë e forcave politike, për të realizuar dhe votuar në kohë reformat e premtuara prej atyre vetë, por edhe ato që përmenden Progres-Raportin e Komisionit Europian mbi Shqipërinë”.

Arrihet paqja

Politika shqiptare gjen më në fund gjuhën për t’i dhënë fund krizës, që po mban pezull reformat prej më shumë se dy vjetësh. Mazhoranca dhe opozita arritën një marrëveshje politike, e cila parashikon krijimin e Komisionit për reformën zgjedhore, krijimin e një grupi pune për rishikimin e projektligjeve që kërkojnë 3/5 e votave dhe për herë të pare në seancën plenare të ditës së enjte, opozita do të votojë disa projektligje, por që nuk lidhen me paktin e drejtesisë.

Rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, të parën mes dy partive të mëdha pas zgjedhjeve të 2009-ës, nuk e zbeh dot as mungesa e zhurmës politike, që shoqëron zakonisht të tilla procese.

Fare butesisht, sikur te mos ishin perplasur me qindra here me fjalorin me te ashper, madje edhe me perplasje fizike, demokratet dhe socialistet zgjodhen nje nga instrumentat me te rendesishem te Parlamentit, Konferencen e Kryetareve te grupeve parlamentare, per te rene dakort ne tre ceshtje, qe nisin zbatimin kete te enjte.

Topi ishte optimist për marrëveshjen

Presidenti i Republikës Bamir Topi shprehu optimizmin e tij pak ditë më parë për rivendosjen e dialogut mes dy forcave kryesore politike. Sipas tij optimizmi bazohej në mesazhet që mori, sidomos, nga faktori ndërkombëtar.

“Eshtë momenti që të gjithë duhet të bëhen koshientë që, sa më shumë kontestues refraktarë të jenë në bashkëpunim, nga eksperienca, aq më shumë pikë do të humbim… Unë besoj që jemi afër një mundësie zgjidhjeje të krizës, që ekziston, në krizën e besimit, që Unë jam i predispozuar të jem optimist dhe këtë e shikoj jo thjesht tek mënyra e sjelljes së partive politike, që është, besoj momenti më i rëndësishëm, por edhe tek komunikimi me partnerët ndërkombëtarë”, tha Topi.

Top Channel