Dëmtohen pyjet në Karaburun

03/11/2011 16:40

Zona pyjore në gadishullin e Karaburunit është dëmtuar nga prerja e pemëve, kryesisht e drurit të quajtur valanidhi.

Ky është nje dru industrial dhe sipas drejtuesve të policisë pyjore, dikur është përdorur për industrinë e lëkurëve, kurse aktualisht përdoret vetëm për dru zjarri.

Në zonë gjenden ende stiva me dru të prerë në pritje të transportit në të vetmen rrugë që kalon në postobllokun e bazes ushtarake detare të Orikumit.

Shefi i policisë pyjore të Vlores, Xhoxhi Hoxhara, pranon përgjegjësinë dhe thotë se do të bëhen kontrolle për të gjetur shkaktaret e këtij dëmtimi të pyjeve.

“Aty ka ndodhur një problem që inspektori i zonës është shkarkuar nga puna përpara 2-3 muajsh dhe në vendin e tij ka ardhur një njeri i paaftë, me një profil tërësisht tjetër profesional nga ai i kërkuari. Për këtë, e ka patur shumë të vështirë të bëjë si duhen kontrollin. Ne kemi përgjegjësi për gjithçka që ndodh në zonat pyjore, por nuk kemi patur dijeni. Me njoftimin që morrëm sot, do të bëjmë hetime dhe ju garantoj që shumë shpejt do të vendosim përpara përgjegjësisë të gjithë fajtorët”.

Në Vlorë, dëmtimet në drurë pyjore nuk kanë qenë te pakta, ku vite më parë për drurin e ilqes në zona të lumit të Vlorës ka patur edhe procedime penale.

Top Channel