OST shpjegon përse u anullua ankandi

22/10/2011 08:50

Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) deklaroi dje se, një ankand i zhvilluar prej saj në korrik “u anulua për arsye procedurale” dhe jo “pa shkak”, siç është raportuar disa ditë më parë nga gazeta “Shqip”.

Operatori i Sistemit të Transmetimit është një korporatë publike që menaxhon linjat e tensionit të lartë në Shqipëri për transmetimin e energjisë elektrike të importuar apo të eksportuar në Shqipëri.

“Në muajin korrik të këtij viti është anuluar një procedurë e vetme ankandi, që u zhvillua për alokimin e kapaciteteve vjetore disponibël të interkonjeksionit. Anulimi u bë për arsye procedurale dhe për këtë është njoftuar në faqen tonë zyrtare të internetit dhe raportuar në ERE (Entin Rregullator të Energjisë).

Ky ankand për alokimin e të njëjtave kapacitete u ripërsërit në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi”, – thuhet në reagimin e OST-së.

Tri ditë më parë, gazeta “Shqip” publikoi një letër që sekretariati i Energjisë në Vjenë i ka dërguar qeverisë shqiptare, duke i kërkuar llogari se pse i ka përcaktuar me ligj KESH-it dhe CEZ-it ekskluzivitet për 75 për qind të kapacitetit importues të energjisë në vend.

Zëvendësministri i Ekonomisë, Eno Bozdo deklaroi pas kësaj se, qeveria ka ndër mend të nisë liberalizimin gradual të të drejtës së përdorimit të rrjetit të importit, duke filluar nga viti i ardhshëm.

OST-ja ka tentuar të nxjerrë në shitje përmes ankandit kapacitetin e mbetur të lirë prej 25 për qind, por ankandi nuk ka qenë i suksesshëm. Sipas rregullave të Sekretariatit të Energjisë, faqet e internetit të Operatorëve të Sistemit të Transmetimit duhet të jenë së paku në anglisht, në mënyrë që operatorët e tregut të mos kenë pengesa gjuhësore.

Top Channel