Kontrolli i naftës, qeveria përgatit koncesionin

22/10/2011 08:10

Një vendim i qeverisë, i cili nuk u publikua në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, pritet të japë me koncesion shërbimin e kontrollit të cilësisë së naftës, pasi një kompani e huaj ka bërë një “propozim të pakërkuar”, informoi e përditshmja “Shqip”, në numrin e saj të ditës së shtunë.

Vendimi nr. 609 u miratua në mbledhjen e qeverisë më 24 gusht, por nuk u publikua te Keshilliministrave.al, siç publikohen të gjitha vendimet e tjera të qeverisë, ndërsa doli në Fletoren Zyrtare pak ditë më parë.

“Autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurës ligjore për dhënien me koncesion të shërbimit të markimit dhe monitorimit të karburanteve në Republikën e Shqipërisë është Ministria e Financave”, – thuhet në vendim, i cili i jep kompanisë “Global Fluids International”, një bonus 6 për qind në një tender formal që kryhet në këto lloj rastesh, para se kompania të shpallet zyrtarisht fituese.

Kontrolli i cilësisë së karburanteve që shiten në tregun shqiptar deri më sot është kryer nga Inspektorati Qendror Teknik, një institucion në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, e cila aktualisht drejtohet nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Por, vendimi i qeverisë ia ngarkon dhënien e koncesionit jo më Ministrisë së aleatit LSI, por Ministrisë së Financave.

Koncesionet e pakërkuara
Biznese të tilla fillojnë kur një biznesmen identifikon një mundësi për t’i ofruar një shërbim qeverisë, edhe pse kjo e fundit nuk ka shtruar ndonjë kërkesë. Kompania hyn në një tender formal, ku në të gjitha rastet, teorikisht duhet të marrin pjesë edhe kompani të tjera të interesuara, por që gjithmonë fiton kompania e parë.

Privatizimi i Inspektoratit Qendror Teknik qe njoftuar paraprakisht nga një prej këshilltarëve të kryeministrit dhe vetëm pak ditë më vonë mbërriti edhe VKM-ja.

Kompania ‘Global Fluids International’ është një kompani austriake e listuar në bursë si “Penny Stock” (kompani, aksionet e së cilës kushtojnë pak cent). Sipas faqes së saj në internet, ajo ka aktivitet në Uganda, Meksikë dhe Europë.

Qeveria nuk ka publikuar ndonjë analizë mbi situatën e sektorit të kontrollit të cilësisë së naftës si dhe përfitimeve e kostove të mundshme që do të krijohen nga ky privatizim.

Shteti i privatizuar
Qeveria shqiptare ka privatizuar përmes koncesionit të pakërkuar, edhe disa funksione të tjera të rëndësishme, si shërbimin e prodhimit të pasaportave dhe kartave të identitetit, shërbimin e prodhimit të pullave fiskale, shërbimin e kontrollit teknik të automjeteve etj.

Top Channel