Shtrëngohet kredidhënia

18/10/2011 00:00

Marrja e një kredie në bankë është bërë edhe më e vështirë në tremujorin
e tretë. Vrojtimi i fundit i Bankës së Shqipërisë tregon se bankat
private kanë shtrënguar kredidhënien për shkak se perceptojnë një rrezik
të rritur në ekonomi.

Ekspertët e bankave thonë se janë dy arsyet kryesore që po i detyrojnë ato të shtrëngojnë kreditë për biznesin dhe konsumatorët.

Së pari është gjendja e kredive me probleme, të cilat luhaten diku tek 18 përqind e totalit. Arsyeja e dytë ka të bëjë me vlerësimin jo pozitiv që kanë bankat për situatën makro-ekonomike në vend. Për t’u përballur me këto dy rreziqe, bankat në tremujorin e tretë, kanë rritur marzhin e interesave për kreditë, që ato i konsiderojnë me rrezik, por edhe kërkesën për garancitë që mbulojnë këto kredi.

Nga ana tjetër edhe vetë individët dhe biznesi duken të stepur. Sipas vrojtimit, bankat vlerësojnë se kërkesa për kredi, qoftë nga biznesi apo individët është ulur në periudhën korrik- shtator. Edhe për tremujorin e fundit të vitit, ekspertët e bankave që janë pyetur nga Banka e Shqipërisë presin që kredia të vazhdojë të shtrëngohet, sidomos për bizneset e mëdha. Kredia për ekonominë është rritur në tetë muajt e parë të vitit me rreth 12.7 përqind krahasuar me të njëtën periudhë të një viti më parë.  

Top Channel