Agroindustria, prodhimi rritet, punësimi jo

20/08/2011 09:30

Prodhimi agroindustrial i Shqipërisë është dyfishuar gjatë dekadës së
fundit, duke shënuar xhiro totale prej rreth 400 milionë eurosh për
vitin 2010, por numri i vendeve të punës të regjistruara është rritur me
vetëm 20 për qind, bëhet e ditur nga të dhënat e publikuara nga
Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes Konsumatore.

Në vitin 2010, prodhimi i agroindustrisë arriti në 55.5 miliardë lekë, me rritje 5.4 për qind përkundrejt vitit 2009 dhe me dyfishim në krahasim me vitin 2000, kur prodhimi i përgjithshëm ishte 28 miliardë lekë.

Vitin e kaluar, sektori i agroindustrisë punësoi 10,804 shqiptarë, ndërsa një dekadë më parë, punësonin 9,076 vetë. Në agroindustri operojnë aktualisht mbi 2 mijë ndërmarrje, shumica dërrmuese e të cilave janë ndërmarrje të vogla. Më pak se 200 prej tyre kanë më shumë se pesë të punësuar. Afro një e katërta e të punësuarve në këtë industri i përkasin prodhimit të bukës. Ky segment është përgjegjës për pjesën më të madhe të rritjes së të punësuarve në agroindustri.

Përqendrim në pak duar

Tendenca e përgjithshme e sektorit të agroindustrisë, sipas “Shqip” është përqendrimi në pak ndërmarrje i aktiviteteve më të rëndësishme si mishi, birra, uji mineral e prodhimi i miellit. Rreth 1100 ndërmarrjet e klasifikuara tek aktiviteti agroindustrial janë furrat e prodhimit të bukës dhe të ëmbëlsirave. Rreth 350 ndërmarrje punojnë në përpunimin e qumështit, ndërsa 130 ndërmarrje merren me prodhimin e vajit.

Por sektorët më fitimprurës, si produktet e mishit, prodhimi i ujit mineral e pijeve freskuese apo prodhimi i birrës, kanë një numër të kufizuar ndërmarrjesh. Te përpunuesit e mishit punojnë 63 ndërmarrje, ku 7 prej tyre kanë mbi 20 të punësuar, ndërsa 40 prej tyre kanë më pak se pesë të punësuar. Te prodhimi i birrës veprojnë 36 kompani, nga të cilat 23 janë birrari të vogla me 1-5 të punësuar dhe 6 kompani kanë më shumë se 20 të punësuar.

Tregu i prodhimit të birrës është ngushtuar për nga numri i kompanive operuese, veçanërisht pas vitit 2005, kur qeveria miratoi një ligj që kufizoi të drejtën e importimit të elbit. Në atë kohë në vendin tonë kishte 60 birrari të vogla e të mëdha, nga të cilat, shumica nuk i mbijetoi kufizimeve në importimin e elbit. Sot në vend ka 22 kompani birre.

Ndërkohë, numri i sallamerive ka mbetur i njëjtë me një vit më parë, ndërsa numri i prodhuesve të vajit të rafinuar është dyfishuar si pasojë e shtimit të numrit të mullinjve të vegjël për prodhimin e vajit të ullirit. Prodhimi i ujit dhe pijeve freskuese është kufizuar gjithashtu. Një dekadë më parë, në Shqipëri kishte 55 marka të prodhimit vendës të ujit mineral, të cilat ranë në 36 vitin e kaluar. Vetëm në 2010, tre marka uji dolën nga tregu.

Përqendrimi ka qenë i fortë edhe në segmentin e prodhimit të miellit. Në vitin 2000, Shqipëria kishte 406 prodhues të vegjël e të mëdhenj të miellit, ndërsa vitin e kaluar numri i kompanive u reduktua në 165 njësi. Bashkë me kufizimin e numrit të operatorëve ka ardhur edhe shkurtimi i vendeve të punës. Rreth 400 vende pune janë humbur nga aktiviteti i prodhimit të miellit gjatë dekadës së fundit.

Top Channel