Importi i energjisë elektrike

20/10/2010 00:00

Vetëm pak ditë pas garancisë prej 50 milionë eurosh, Qeveria mund të
detyrohet të japë të tjera para për të siguruar furnizimin e vendit me
energji.

KESH pagoi menjëherë 18 milionë euro detyrime të prapambetura ndaj furnitorëve, ndërkohë që vetëm fatura e importit për 20 ditë të muajit tetor ishte 14 milionë euro të tjera.KESH është duke blere energji për të kompensuar importin e pa realizuar nga CEZ.

Aktualisht Korporata blen nga jashtë 11 milionë kilovat orë ose 700 mijë euro energji në ditë. Burime konfidenciale nga Korporata, thonë për Top Channel se shuma e mbetur nga garancia mjafton për të siguruar energji deri në fund të nëntorit.

Me rezervat hidrike afër pikës kritike, Qeveria mund të detyrohet të ndërhyjë sërish për të garantuar furnizimin e vendit me energji në dhjetor duke dhënë të tjera para. Nëse kjo ndodh borxhi publik i vendit, edhe zyrtarisht do te kaloje kufirin ligjor 60 për qind dhe tashmë, edhe vetë qeveria duket e dorëzuar.

Por ky është vetëm kufiri zyrtar. Shifra reale e borxhit mund ta ketë thyer kufirin 60 për qind që më parë nëse përfshihen detyrimet e prapambetura që Qeveria ka ndaj kompanive private për punët publike apo dhe rimbursimin e TVSH-së.

Tkurrja e rritjes ekonomike në nivelet minimale i ka futur financat publike të vendit në një rrugë të paqëndrueshme dhe tashmë shpresa e vetme e Qeverisë që buxheti të mos shthuret është që privatizimi i ‘Albpetrol’ të përfundojë me sukses.   

Top Channel