Ekonomia në fokusin e KE

11/10/2010 00:00

Ekonomia është tema që zë pjesën më të madhe në raportin e sapopublikuar të Bashkimit Europian për Shqipërinë.

Përmes një numri të madh kapitujsh, komisioni analizon me hollësi ekonominë nga dy kënvështrime kryesore, gjendjen aktuale të saj dhe progresit të reformave të qeverisë. Në lidhje më të parën, raporti nis duke komentuar me shqetësim financat e qeverisë që mbeten një nga dobësitë më të mëdha të ekonomisë shqiptare. “Objektivi kryesor i qeverisë mbetet stabiliteti makroekonomik, i cili përgjithësisht u ruajt. Por zgjerimi i deficitit coi në rritjen e mëtejshme të borxhit të lartë publik, duke përkeqësuar dobësitë fiskale ” thuhet në raport.

Në lidhje me rritjen ekonomike raporti vë në dukje rritjen e standardeve të jetesës krahasuar me mesataren e Bashkimin Europian nga 28 për qind në 2010 në 31 për qind në 2011. Megjithatë sipas komisionit rritja ekonomike po ngadalësohet. “Rritja e prodhimit kombëtar zbriti në 3.1 për qind në vitin 2011 nga 3.8 për qind në  2010-ën.

Ndërsa në tremujorin e parë të 2012-ës ekonomia u tkurr me 0.2 për qind për shkak të rënies së fortë të prodhimit industrial dhe ndërtimit,” vijon raporti. Një tjetër problem i mprehtë sipas komisionit mbetet papunësia.

“Kushtet në tregun e punës u përmirësuan, por ndonëse u ul krahasuar me vitin e kaluar papunësia mbetet e lartë, dhe tre të katërtat e të papunëve janë afatgjatë duke reflektuar natyrën e saj strukturore,” thuhet në raport ndërkohë që shqetësime ka dhe për deficitin korrent dhe rritjen e kredive të këqija si dy rreziqe shtesë për stabilitetin ekonomik të vendit. Por përkeqësimi i treguesve ekonomik nuk është problemi i vetëm. Raporti vëren se edhe progresi i reformave mbetet i pamjaftueshëm. “Në vecanti procesi i privatizimeve ka ngecur dhe përgatitja institucionale për të mbrojtur të drejtat e pronës dhe për të garantuar zbatimin e ligjit është e dobët duke mbetur një arsye për shqetësim,” vijon raporti.

Komisioni thotëse dobësia në zbatimin e ligjit dhe reformat e paplotësuara të pronës dhe korrupsioni vazhdojnë të kenë efekt negativ në klimën e biznesit duke tërhequr vëmendjen se situata politike i bën edhe më sfiduese ndërmarrjen dhe zbatimin e reformave.    

Top Channel