“Së bashku përmbysëm Orbanin dhe çliruam Hungarinë”/ Fitorja historike në zgjedhjet parlamentare, Magyar: I thamë ‘Po’ Europës

13/04/2026 07:13

Peter Magyar ka fituar zgjedhjet parlamentare në Hungari, duke shënuar një kthesë historike në skenën politike të vendit.

Lideri i Partisë Tisza të qendrës së djathtë arriti të mposhtë kryeministrin në largim, Viktor Orban, i cili ka dominuar politikën hungareze për 16 vite.

Orban pranoi humbjen, duke e cilësuar rezultatin si “të qartë dhe të dhimbshëm”, ndërsa sipas Magyar, kundërshtari i tij e telefonoi për ta përgëzuar për fitoren – një gjest që ai e bëri publik në rrjetet sociale.

Fitorja e Magyar konsiderohet një pikë kthese me ndikim jo vetëm në politikën e brendshme, por edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të Hungarisë, veçanërisht me Rusi, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

45-vjeçari arriti të kapitalizojë pakënaqësinë e publikut, sidomos mes të rinjve dhe votuesve urbanë, duke ndërtuar një mbështetje të gjerë elektorale.

Duke folur nga sheshi Batthyány në Budapest, Magyar u shpreh: “Ne i fituam këto zgjedhje jo me një diferencë të vogël, por me një diferencë të madhe. Tisza dhe Hungaria i fituan këto zgjedhje.”

Në një fjalim me tone të forta, ai deklaroi gjithashtu: “Së bashku përmbysëm regjimin e Orban, çliruam Hungarinë dhe rimorëm atdheun tonë.”

Sipas tij, mbështetja e rreth 3.3 milionë votuesve përfaqëson një mandat historik: “Asnjë parti në Hungari nuk ka marrë ndonjëherë një mandat kaq të fortë.”

Në përfundim të fjalimit, Magyar falënderoi familjen, anëtarët e partisë dhe mijëra vullnetarë, duke theksuar: “Hungaria ka bërë histori sot.”

Në të njëjtin tubim, ai nënvizoi drejtimin e ri politik të vendit duke deklaruar: “Hungarezët i kanë thënë po Evropës.”

Sa i përket politikës së jashtme, ai konfirmoi planet e tij të para si lider: “Udhëtimi im i parë do të jetë në Varshavë, më pas në Bruksel për të kërkuar zhbllokimin e fondeve të BE-së.” Ai shtoi gjithashtu: “Hungaria do të jetë një aleat i fortë i BE-së dhe NATO-s.”

Top Channel