Rrethi Katror/ “Trump dështoi”, si e lexojnë Alfred Cako dhe Albatros Rexha dështimin e negociatave SHBA-Iran: Lufta do të zgjerohet, fatin e botës e vendosë…

12/04/2026 21:35

Dështimi i negociatave SHBA-Iran në Islamabad ishin kryefjala e ditës së sotme në tryezën e ‘Rrethit Katror’.

Alfred Cako tha se pret që lufta në Lindjen e Mesme do të vijojë të zgjerohet dhe se pret që të kthehet në një konflikt botëror. Më tej ai shprehu se nuk do të ketë nësnshkrim paqeje pa Evropën dhe se do të jetë “kontinenti i vjetër” që do të vendosë fatin e botës.

“Mendoj që lufta do të vazhdojë dhe do jetë e gjatë. Janë të gjithë bashkë. Ka dy armiq, elita dhe popujt, i gjithë qëllimi është të bëhet depopullimi dhe të zhduken shtresat e ulëta ekonomike që janë dhe më të mëdhatë në botë dhe të ngelen vetëm shtresa e mesme dhe e larta, ku e larta do të kontrollojë të mesmen me anë të inteligjencës artificiale. Jo vetëm që nuk do të ndërpritet lufta, por edhe do të zgjerohet. Ju kujtohet që kam thënë që në vitin 2020, pa nisur lufta në Ukrainë, që në plan është një luftë botërore dhe këtu ata bashkëbisedeuesit bënin komente duke u tallur dhe duke qeshur. Mendoj që janë 4 superfuqi botërore, Europa, SHBA, Rusia dhe Kina dhe po të shikosh, 2 fitojnë, marrëveshje e Alaskës, SHBA dhe Rusia, ku këta kërkojnë të kontrollojnë nëpërmjet karburanteve gjithë pjesët e tjera të botës, dhe të mbajnë çmime oligopol, mirpo me këtë nuk pajtohet Evropa dhe sidomos Britani, që është qendra e botës dhe mendoj se nuk do ketë paqe pa nënshkruar Evropa dhe Britania. Dhe në fund është përsëri ajo që do vendosë siç ka vendosur këto shekuj, fatet e botës së ardhshme. Pres që do ketë një luftë midis Evropës dhe Rusisë, Putin kërcënoi këto ditë me luftë bërthamore, pres një zgjerim të luftës në Oqeanin Indian. Por ka mundësi të ketë një rreshtim të ri të forcave, SHBA duke përdor pretekstin e mos përfshirje së Evropës në luftën e Gjirit të Hormuzit, do të marrin Groenlandën, Kanadanë dhe Meksikën, do të marrin nën kontroll burimet energjetike që ka Kanadaja, SHBA po rrit prodhimin energjetik. Do të mbajnë të destabilizuar përmes Izraelit Lindjen e Mesme, që Evropa të mos marrë dot naftë nga Lindja e Mesme dhe do t’i drejtohet Rusisë, ku Trump ka rënë dakord me Putinin që të marrë një taksë nga fitimi i naftës që do të furnizojë Rusia drejt Europës. Njëkohësisht Trump do të përpiqet që ato anije që kalojnë nga Ngushtica e Hormuzit, krahas Iranit, të marrë dhe Amerika një taksë”, u shpreh Alfre Cako.

Ndërkohë sipas gazetarit Edi Hallaçi, Trump dhe Amerika dështuan në misionin e tij në Iran dhe se negociatat janë një justifikim për të ruajtur krenarinë amerikane.

“Mendoj që misioni i Amerikës në Iran ka dështuar, Trump njihet për deklaratat e tij, tërhiq e mos e këput. Kam përshtypjen që ai nuk po di më si të dalë nga kjo situatë që ka krijuar në Iran. Unë mendoj që të pushtosh Iranin është e pamundur, përveçse të përdorësh armët bërthamore. Mendoj që do ketë rikthim sërish në tryezën e negociatave. Negociatat janë vetëm për të justifikuar krenarinë amerikane, që ne nuk kemi humbur, por po tentojmë të marrim diçka, të paktën për disa vite sepse nuk janë tu fuqishëm për t’i bërë gjë Iranit, mendoj unë”, tha Hallaçi.

Shkrimtari Albatros Rexha zbuloi një nga prapaskenat gjatë negociatave në Islamabad duke thënë se ato ishin aq të tensionuara saqë në një moment ka patur rrezik të një përplasjeje fizike mes ministrit të Jashtëm iranian dhe të dërguarit special të Trump, Steve Witkoff.

“Bisedimet në Islamabad dështuan, delegacionet janë kthyer në shtetet e tyre, madje thuhet se kanë qenë aq të tensionuara saqë për një moment ka pasur rrezik edhe përplasje fizike, midis ministrit të jashtëm iranian dhe të dërguarit special të Trump, Steve Witkoff. Në fund doli që kushti që ka paraqitu SHBA, Irani i ka konsideruar të papranushme. Për njerëz që e njohin logjikën me të cilën negocion Irani, është pothuajse e ngjashme me mënyrën me të cilën negocionte Millosheviçi. Pra është ideja, të flasin, por mos të merremi vesh dhe në momentin e fundit zv.presidenti J.D Vance ka thënë: ‘Kjo është oferta jonë e fundit, merreni ose lëreni’. Tani pritet se çfarë do të ndodhë. Në Iran është krijuar ideja që Trump është treguar i dobët në arritjen e një marrëveshje, por mendoj që kjo do të përfundojë me pushtimin e Ngushticës së Hormuzit sepse këtu është e gjithë nyja. Flitet që do të jetë edhe me ndihmën e disa shteteve evropiane, të cilat do të qëndrojnë, nëse jo të përfshira direkt jo, atëherë si logjistikë. Por kjo do të sigurojë që kjo arterie shumë e rëndësishme e ekonomisë botërorë të mos mbetet e bllokuar, sepse Irani tani thotë se do të veprojë më sovranitet të plotë. Pra i kanë shpallur ujëra të tyre territoriale. Nuk shoh diçka të mirë të dalë nga kjo”, tha Albatros Rexha.

Top Channel