Rritja e çmimit të naftës, Shoqata e Transportit: 450 linjave iu rrezikohet shërbimi nga java tjetër
Kryetari i PD-së, Prof. Dr. Sali Berisha, tha sot në tryezën e diskutimit për zhvillimet në Portin e Durrësit, se ky projekt është një nga aferat më të mëdha korruptive në Europë.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se synon përvetësimin e pasurisë publike përmes transformimit të portit aktual dhe ndërtimit të një porti të ri, që sipas tij do t’u kushtojë shqiptarëve rreth 1 miliard euro. Berisha theksoi se projekti dëmton rëndë pozicionin strategjik të Shqipërisë dhe rrit kostot e transportit dhe mallrave.
“Jo vetëm përvetëson pasurinë numër një publike të shqiptarëve, që është porti i Durrësit, por gjobit shqiptarët me 1 miliard euro për ndërtimin e një porti të ri, i cili ndëshkon kombin jo vetëm me 1 miliard euro që do paguajnë, por e ndëshkon si një projekt që nuk i përgjigjet absolutisht as pozicionit strategjik natyror të Shqipërisë, pasi është 4 herë më i vogël se porti i Durrësit, dhe Durrësi është pozicioni strategjik më fizibël, më i përshtatshëm në të gjithë bregun e Adriatikut”, u shpreh Berisha.
Kryetari i PD, tha se zhvendosja e portit dobëson rolin gjeostrategjik të vendit dhe favorizon interesa të ngushta ekonomike. Ai kritikoi gjithashtu mungesën e reagimit nga mediat dhe institucionet, duke e cilësuar situatën si shqetësuese për demokracinë dhe transparencën.
Lideri demokrat, Sali Berisha paralajmëroi PD Demokratike do ta trajtojë këtë çështje si prioritet kombëtar dhe do të ndërmarrë protesta dhe veprime për ta kundërshtuar projektin.
“Ne, portin e Durrësit do ta trajtojmë në axhendën tonë si çështje kombëtare të dorës së parë. Mbrojtjen e interesit kombëtar, se nuk është vetëm i qytetarëve të Durrësit, por është i mbarë Shqipërisë, ne do e përcaktojmë këtë si çështje madhore kombëtare, strategjike, të rëndësishme, antikorropsion e me radhë. Nuk ka, i tejkalon të gjitha të tjerat. I tejkalon në rrafshin monetar, në përmasat e vjedhjes, në interesin strategjik dhe kombëtar të vendit. Nuk mund ta lemë këtë njeri të veprojë në këtë mënyrë. Ndaj dega e PD të Durrësit do bashkërendojë me kryesinë e PD në Tiranë një seri masash, qëndrimesh, protestash, revoltash”, deklaroi Berisha.
Top Channel