Speci “i artë”, mungon prodhimi. Fermerët: Çmimi rritet nga importi dhe dëmet e përmbytjeve, deri 350 lekë/kg në treg

10/04/2026 15:25

Këtë vit numri i serave që prodhojnë produktin e specit është shumë i vogël.

Përmbytjet e nëntorit kalbën fidanët e perimeve, sipas fermerit Arjan Hoxha, nga fshati Banjë e Re e Cërrikut. Çmimet e larta të perimeve kësaj here nuk po diktohen nga prodhimi vendas, por nga importi.

“Këtë lloj çmimi nuk e kemi pas, të them të drejtën, dhe as këtë lloj kërkesë. Mungesa e tregut, tragjedia që i ndodhi fermerëve të Beratit, akulli dhe importi që sjell mallin e sjell me çmim tepër të lartë”, shprehet fermeri.

Por për Arjanin ky nuk është çmimi i krenarisë: “Të them të drejtën, më dhimbset konsumatori dhe duhet të ndihmohet fermeri që të shtojmë rendimentin dhe të mos varemi nga importi. Kështu edhe konsumatorët do të blejnë më lirë.”

Reshjet e shiut ndikuan që tregjet të furnizohen me produkte nga Turqia dhe Italia, pasi kushtet klimaterike zgjatën kohën e pjekjes së specit dhe domates.

“Kemi dhe vonesa në hyrjen e prodhimit, të paktën 2-3 javë, të shkaktuara nga klima, pasi kemi pasur 40 ditë shit”, thotë fermeri.

Edhe ata fermerë që i shpëtuan përmbytjeve janë detyruar që kësaj here jo vetëm të prodhojnë pak për shkak të motit, por edhe shtrenjtë për luftës: “Në çdo gjë ka ngritje, sidomos plehrat bazë. Kjo tokë për çdo dynym ka marrë 1 kuintal pleh, nëse më parë kuintali kushtonte 90 mijë lekë të vjetra, ka shkuar 110 mijë lekë të vjetra.”

Një kilogram spec tek konsumatori po shitet plus 100 lekë më tepër nga çmimi i serës, duke kapur kështu vlerën e 350 lekë për kilogram.

Top Channel