Projekti “Porta e Alpeve” në Shkodër, ministri Karakaçi: Korridor që lidh Aplet me bregdetin e Adriatikut, siguron sezon turistik nga dimri në verë

10/04/2026 10:59

Pas mbledhjes së Qeverisë mëngjesin e ditës së sotme, ministri i Energjetikës dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi njoftoi miratimin e projektit “Porta e Alpeve”.

Karakaçi tha se ky projekt do të krijojë për herë të parë një korridor që lidh Alpet me bregdetin e Adriatikut, duke siguruar kështu një sezon turistik nga dimri në verë.

“Porta e Alpeve nënkupton një marrëveshje financimi me Bankën Europiane në 50 mln euro dhe 50 mln euro të alokuara nga buxheti i qeverisë shqiptare. 100 milionë euro në total për projekte infrastrukturore të natyrave të veçanta. Programi dhe marrëveshja ka disa komponentë për rehabilitimin e shesheve urbane e rikonstruksionin e bulevardeve. Investime infrastrukturore në akset që lidhin bregdetin e Velipojës, liqenin e Shkodrës, lumin e Bunës dhe Alpet. Investime në rrjet kanalizime-ujësjellës, transportin urban dhe elementët turistikë për menaxhimin e ndotjes urbane. Krijojmë për herë të parë një korridor të integruar mes Alpeve dhe bregdetit Adriatik për të pasur sezon turistik nga dimri në verë dhe ndihmuar zhvillimin ekonomik”, u shpreh ministri.

Top Channel