Peleshi thërret mbledhjen e Këshillit për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, reagon PD: Nuk është zbardhur ende vendimi i Kushtetueses, akt i paprecedentë

10/04/2026 14:14

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka njoftuar thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, e cila do të zhvillohet më 15 prill 2026, në orën 12:00.

Në rendin e ditës është parashikuar shqyrtimi i projektvendimit “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004, ‘Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë’, i ndryshuar”.

Menjëherë pas këtij njoftimi ka reaguar Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, i cili e ka cilësuar thirrjen e mbledhjes si “akt të paprecedent” dhe në kundërshtim me parimet kushtetuese.

Sipas PD-së, projektvendimi që pritet të shqyrtohet përmban dispozita që më herët janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, duke ngritur shqetësime për, siç thotë opozita, injorim të autoritetit të saj.

Sakaq, demokratët akuzojnë Kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshin se ka vepruar pa pritur zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke e konsideruar këtë një praktikë që cenon shtetin ligjor dhe besimin publik tek institucionet.

Reagimi i PD:

Kryetari i Kuvendit ka njoftuar sot thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për në datë 15.04.2026, ora 12:00, me rend dite: “Shyrtimi i projektvendimit “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004, “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Ky njoftim bëhet në kushtet kur projektvendimi përkatës përfshinë dispozita që janë shfuqizuar njëzëri nga Gjykata Kushtetuese, duke injoruar autoritetin e kësaj të fundit dhe në shkelje të parimeve bazë të funksionimit të shtetit ligjor.

Secili qytetar i Republikës së Shqipërisë dhe partnerët tanë ndërkombëtar kujtojnë se për 3 muaj, Kryetari i Kuvendit z. Niko Peleshi refuzoi të thërriste mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të ish-Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, me arsyetimin se po priste zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me një kërkesë të Kryeministrit që nuk kishte asnjë lidhje me çështjen që shqyrtonte Kuvendi i Shqipërisë.

Ndërkohë që në rastin konkret, edhe pse rendi i ditës është qartësisht i lidhur me zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të njoftuar në datën 23 Shkurt 2026, Kryetari i Kuvendit ka ftuar deputetët në mbledhje, pa pritur zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo praktikë bie ndesh me nenin 132 të Kushtetutës dhe provon edhe njëherë vullnetin e mazhorancës për të injoruar zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Duke e konsideruar këtë akt si të paprecedent, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, dënon me forcë provokimin e Kryetarit të Kuvendit z. Niko Peleshi dhe e konsideron njoftimin e bërë prej tij për të mbledhur Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ende pa u njoftuar vendimi i zbardhur i Gjykatës Kushtetuese, si një veprim antikushtetues, që cënon parimet bazë të shtetit ligjor dhe cenon besimin e publikut tek autoriteti i padiskutueshëm i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Top Channel