“Një pikë uji në oqean”/ Rama me pensionistët në Berat: Sikur të mbyllnim fare Parlamentin me pagat e 140 deputetëve, larg qoftë…

10/04/2026 19:22

Kryeministri Esdi Rama gjatë takimit me pensionistët në Berat, foli për pretendimet e qytetarëve për rritjen e pagave të deputetëve.

Rama u shpreh që edhe nëse mbyllet Kuvendi, teksa shtoi që kjo gjë qoftë sa më e largët, pagat e deputetëve do të ishin një pikë uji në oqean.

“E para realisht më vjen mirë që kam qëndruar në këtë detyrë deri kur u bë e mundur që më në fund të përcaktonim një plan financiar të mbështetur nga buxheti. Një buxhet jo i mjaftueshëm, por i arsyeshëm. Rritja e pensioneve ka qenë më e vështira dhe është gjithmonë më e vështira. Ju e dini që pensionet funksionojnë në bazë të një skeme të sigurimeve shoqërore. Nëse skema e sigurimeve shoqërore nuk është solide, por në vend që të jetë një skemë solide është një gropë që ne e trashëguam atëhere, bëhet tejet e vështirë.

Kur më pyesnit ju kam thënë vazhdimisht që e kemi prioritet, por duhet të rrisim ekonominë, që t’i qasemi këtij prioriteti. Shpesh herë sillej në vëmendje që ‘jo po rriten pagat e deputetëve’, pagat e deputetëve ata janë 140, sikur ta mbyllnim fare Parlamentin, larg qoftë, dhe të shpërndanim pagat e deputetëve do të ishte një pikë uji në oqean. Ishte shumë stresuese pamundësia dhe erdhi momenti ku pamë qartë mundësinë”, tha Rama.

Top Channel