Lokali ishte kthyer në ambient për lojërat e fatit, arrestohet pronari, procedohet një tjetër

10/04/2026 10:47

Zbulohet një tjetër lokal i vënë në dispozicion të organizimit të kundërligjshëm, të lojërave të fatit në Tiranë.

Si pasojë është arrestuar pronari i lokalit, si dhe iu sekuestrua celulari.

Po ashtu u vu në hetim 1 shtetas, pasi mbante me vete, në ambientet e lokalit, mjet prerës.

Si rezultat i kontrolleve në subjekte ku dyshohet se organizohen lojëra fati, në kundërshtim me ligjin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 konstatuan se në një lokal në rrugën “Kastriotët”, viheshin baste sportive, me celular.

Për këtë rast u arrestua në flagrancë pronari i lokalit, shtetasi V. G., 37 vjeç.

Gjatë kontrolleve të mëtejshme në këtë subjekt, u konstatua se klienti, shtetasi O. I., 21 vjeç, kishte me vete 1 mjet prerës. Për 21-vjeçarin nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Celulari i të arrestuarit dhe mjeti prerës u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme“, thuhet në njoftimin e policisë.

Top Channel