Izraeli ka njoftuar se ka vrarë Ali Yusuf Harshi, sekretarin personal dhe nipin e zëvendës-shefit të Hezbollahit, Naim Qassem, në një sulm ajror pranë Beirutit të mërkurën.
Forcat Izraelite të Mbrojtjes (IDF) thanë se Harshi ishte një bashkëpunëtor i ngushtë dhe këshilltar personal i Qassem, duke luajtur rol kyç në menaxhimin dhe sigurimin e zyrës së tij.
Ky sulm është pjesë e një operacioni masiv të Izraelit kundër Hezbollahut, që IDF e përshkruan si sulmin më të madh të koordinuar që nga fillimi i konfliktit. Sipas IDF, mbi 100 qendra komanduese dhe objekte ushtarake të grupit militant të mbështetur nga Irani, Hezbollah, u goditën njëkohësisht në të gjithë Libanin.
Ministria e Shëndetësisë e Libanit raportoi se të paktën 182 persona humbën jetën dhe 890 u plagosën nga sulmet. Forcat izraelite vazhduan operacionet në jug të Libanit gjatë natës, duke goditur dy kalime kyçe mbi lumin Litani që sipas tyre përdoren nga Hezbollah për transferimin e armëve dhe raketave, si dhe objekte magazinimi armësh dhe qendra komanduese.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se IDF do të vazhdojë të godasë Hezbollahin kudo të jetë e nevojshme deri në sigurimin e plotë të banorëve të veriut të Izraelit, ndërsa rritet kritika ndërkombëtare për intensitetin e sulmeve.
Top Channel