Replikat për miratimin e ligjeve të BE, Bardhi: Na jepni listën e akteve. Balla: Nuk keni votuar asnjërin pro deri tani

09/04/2026 10:50

Po mbahet sot seancën e radhës në Kuvendin e Shqipërisë, ku opozita dhe mazhoranca janë përplasur në lidhje me aktet për miratimin e ligjeve për anëtarësimin në BE.

Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi ka thënë se opozita nuk ka listën e listën e draftligjeve që duhen miratuar në kuadër të procesit të integrimit, ndërsa i është përgjigjur kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, duke i thënë se nuk ka asnjë deputet që nuk është i informuar.

Ndërkohë kreu i grupit të PS Taulant Balla tha se nga 23 ligje të përafrimit të legjislacionit për përmbushjen e kritereve para kushteve të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, PD nuk ka votuar asnjë ligj pro.

Pjesë nga diskutimet në sallë:

Tauant Balla:

Sot, ju dashnorët më të rinj të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, do t’ju jap një fakt që është më domethënës, jo për ju, as për ne, se ne e dimë. E kemi filluar këtë legjislaturë në fund të shtatorit dhe që prej asaj dite, ja ku e kemi listën e plotë të ligjeve të përafrimit të legjislacionit për përmbushjen e kritereve para kushteve të anëtarësimit të Shqipërisë në BE: 23 ligje. Në asnjërin prej tyre nuk gjendet një votë pro e PD. Ju këtu vini e na thoni: ‘Po ju, pse s’na votoni ligjet tona?’. Këtu nuk janë ligjet tona, por ligjet e Shqipërisë për procesin e anëtarësimit

Gazment Bardhi:

Në çdo seancë ju po shkelni rregulloren. Disa herë në konferencën e kryetarëve grupi i PD ka kërkuar të na vërë në dispozicion listën e draftligjeve që duhen miratuar në kuadër të procesit të integrimit. Kanë kaluar 6 muaj dhe ju nuk denjoni të informoni opozitën.

Niko Peleshi:

Keni rënë dakord që mocioni do të mbahet në fillim të sesionit të dytë dhe do të bashkohet me progresraportin. Ju lutem përdorni fjalorin e duhur, unë nuk po ju ofendoj. Unë po them të vërtetën time. Sa i përket listës së projektligjeve, përsëri mu drejtuat personalisht, në zyrën e Kuvendit nuk fshihet asnjë listë. Nuk besoj se ekziston ndonjë deputet që nuk ka qenë i informuar për projektligj.

Top Channel