“A është e vërtetë që 9 vende kanë bllokuar Shqipërinë me veto?”/ Rama përgjigjet nga asambleja e PS në Durrës: Është barsoletë Kryeministri Edi Rama mblodhi investitorët e ndërtimit në një takim në kryeqytet, nga ku e cilësoi sektorin që po transformon Shqipërinë dhe po e afron më shpejt drejt Bashkimit Europian.
Kreu i qeverisë i vlerësoi të pavenda kritikat e njollosjen ndaj tyre si një industri që shërben për pastrimin e parave.
“Për të gjithë ata që lehin, në çdo gjuhë që lehin, nga shqipja deri në anglisht dhe gjuhë të tjera, dhe që menjëherë nxitojnë ta kokrrizojnë këtë transformim të Shqipërisë dhe Tiranës si transformimin e krimit, sot që flasim ky projekt ka 350 apartamente të porositura nga vetëm diaspora shqiptare dhe që janë të porositura dhe nuk paguhen me cash, por me bankë”, tha kreu i ekzekutivit.
“As nuk e vë në diskutim që as në këtë sektor, si në çdo sektor tjetër, sikundër në Shqipëri ashtu dhe në çdo vend tjetër, ka probleme. Problemet këtu në Shqipëri patjetër që janë më të mprehta në disa raste sesa janë në disa vende të tjera. Nuk e vë në diskutim që jo çdo gjë në sektorin e ndërtimit është e pastër dhe e qartë si drita e diellit dhe është e çmuar si djersa e dhjetëra mijëra njerëzve që i japin jetë këtij sektori. Por që këtë sukses evident të Shqipërisë, këtë transformim që sektori i ndërtimit e bën të dukshëm menjëherë sapo dikush vjen në Shqipëri, ta fusim në kornizën e krimit, është diçka e neveritshme dhe e papranueshme.
Pa diskutim që këto apartamente nuk i blen dot as një i varfër dhe as një njeri që jeton me një pagë të ulët apo mesatare. Por ama, nga ndërtimi i këtyre apartamenteve bashkia e Tiranës dhe bashkitë që ndërtojnë të tilla, marrin një taksë që është 3% vetëm për fondin e strehimit, për të ndërtuar dhe investuar në skema të strehimit social. Pra kontribuojnë edhe për strehimin e përballueshëm këto ndërtime”, shtoi Rama.
Lidhur me akuzat për sektorin e ndërtimit, Rama thotë se janë teori nga njerëz që suksesin nuk e pranojnë dot, as atë ndërtuesve por as të Shqipërisë.
“Integrimi nuk është thjeshtë që ne do bëhemi pjesë e BE dhe këtu nuk do vijë njeri, por si kudo këtu do blejnë shtëpi, do hapin biznese, do çojnë fëmijët nëpër kopshte dhe këto ndërtime janë pjesë e ambicies që ka Shqipëria, nuk janë skena krimi por transformimi.
Lloj-lloj teorish, lloj-lloj maskarenjsh që në fund të ditës nuk e kanë me asnjë, por e kanë me mungesën e kapacitetit për t’ia pranuar Shqipërisë suksesin, duke qenë shqiptar vetë”, tha kreu i qeverisë.
Kreu i qeverisë hodhi poshtë edhe akuzat për korrupsion, duke thënë se nëse një sipërmarrës paguan 14 milionë euro taksa, është e pamundur të bëjë korrupsion.
“Dua të them që e gjithë kjo që ndodh edhe në sektorin e ndërtimit ne na jep krahë për të shkuar më shpejt përpara në rrugën e anëtarësimit sepse anëtarësimi në BE, nuk është një certifikatë formale por proces transferimi. Të gjitha ato hapa që ne Komision Europian na i konfirmon, nuk janë lehta por transformimi real këtu.
Prandaj ata që flasin sot për një Shqipëri të kapur për fyti nga korrupsioni, në fakt janë të kapur në fytin e tyre nga mllefi ndaj suksesit. Suksesit të të gjithë atyre që bëjnë sukses në rrugën e tyre, sepse e kanë të pamundur për t’ia pranuar dhe falur suksesin.
Ata që flasin për korrupsionin që qenka rritur, duhet t’u dëgjojë ju (ndërtuesit), se nuk mund të rritet korrupsioni kur ti paguan 14 mln euro takstë, ndërkohë që kur korrupsioni ishte më i lartë ti paguaje shumë më pak taksë. Sepse përqindjen e taksës e kanë në dorë ata që qeverisin, ata që janë edhe promotorë ose janë edhe kundërshtarët e korrupsionit. Por 14 mln euro taksë me korrupsion nuk shkojnë të dyja bashkë. Nëse rriten të ardhurat, nuk rriten nga shiu, por nga taksat. Dhe nëse arka e shtetit ka më shumë të ardhura, dhe ne kemi shumë më shumë të ardhura, atëherë do të thotë që ka më pak korrupsion.
Të gjithë ndërtuesit që kapërcejnë pragun për të marrë këto leje, mund ta dëshmojnë se luftën me ne e kanë për cilësinë e projekteve”, tha Rama.
Top Channel