Paqja SHBA-Iran nën pikëpyetje/ Teksti i Marrëveshjes së armëpushimit sjell paqartësi, ndryshojnë versionet zyrtare

09/04/2026 13:21

Armëpushimi i shpallur midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ngjalli në fillim një ndjenjë të madhe lehtësie, por tani po shoqërohet me pasiguri.

Një nga pyetjet kyçe mbetet: a do të rihapet për lundrim Ngushtica strategjike e Hormuzit? Pak përpara skadimit të ultimatumit të tij, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi me tone triumfuese pushimzjarrin dyjavor, të miratuar edhe nga Këshilli Kombëtar i Sigurisë i Teheranit.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghtschi, siguroi se Ngushtica do të rihapet, por me kushtin e koordinimit me forcat e armatosura dhe kufizime teknike. E megjithatë, rruga e rëndësishme ujore u mbyll sërish në shenjë proteste ndaj sulmeve izraelite kundër Hezbollahut. Marrëveshja bazohet në një plan dhjetë pikësh, që përfshin ndalimin e veprimeve agresive, ruajtjen e kontrollit të Hormuzit nga Irani dhe pasurimin e uraniumit, si dhe heqjen e sanksioneve ndërkombëtare. Por versionet në persisht dhe anglisht ndryshojnë për këtë pikë, duke krijuar paqartësi mbi zbatimin e saj.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, paralajmëroi për sulme të mëtejshme nëse Irani nuk dorëzon uraniumin e pasuruar. Ndërkohë, presidenti Trump paralajmëroi edhe masa doganore ndaj vendeve që furnizojnë Iranin me armë. Ekspertët thonë  se kontrolli i mundshëm iranian mbi një nyje kyçe energjetike si Hormuzi është rrezik për ekonominë botërore. Armëpushimi aktual ofron vetëm një pauzë të përkohshme, ndërsa gjendja mbetet e brishtë dhe e pasigurt për kalimin e anijeve tregtare.

Bisedimet e drejtpërdrejta pritet të zhvillohen këtë të premte në Islamabad, me pjesëmarrje të Pakistanit, Arabisë Saudite, Turqisë dhe Egjiptit. Qeveritë europiane po angazhohen gjithashtu, për të mbështetur ruajtjen e armëpushimit dhe lirinë e lundrimit në rajon.

Top Channel