Ambasadori Gonzato takon Lapajn dhe Qorin, bisedime mbi reformën zgjedhore: Forcon llogaridhënien dhe fuqizon qytetarët

09/04/2026 20:27

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, zhvilloi sot një takim me kreun e “Shqipëria Bëhet”Adriatik Lapajn, dhe drejtuesin e Lëvizjes “Bashkë”, Arlind Qorin, ku fokusi i bisedimeve ishte pluralizmi politik dhe reforma zgjedhore.

Ambasadori Gonzato u shpreh se një kuadër zgjedhor i drejtë dhe transparent siguron që përfaqësimi në parlament të pasqyrojë zgjedhjet e votuesve.

“Biseda të vlefshme sot me Adriatik Lapajn e ‘Shqipëria Bëhet’ dhe Arlind Qorin e ‘Lëvizja Bashkë’, ku ramë dakord se një demokraci e shëndetshme ndërtohet mbi pluralizmin. Bashkëjetesa e zërave të ndryshëm politikë ndihmon në pasqyrimin e strukturës së shoqërisë, siguron përfaqësim të drejtë dhe rrit besimin e publikut.

Çdo votë e hedhur duhet të ketë të njëjtën peshë, në mënyrë që rezultatet zgjedhore të pasqyrojnë vullnetin e qytetarëve.

Prandaj reforma zgjedhore ka rëndësi. Një kuadër zgjedhor i drejtë dhe transparent siguron që përfaqësimi në parlament të pasqyrojë zgjedhjet e votuesve. Ai fuqizon qytetarët, nxit pjesëmarrjen dhe forcon llogaridhënien”, tha ambasadori Gonzato.

Top Channel