SHBA-Iran, takim paqeje në Pakistan/ Dy delegacionet takohen në Islamabad të shtunën për një zgjidhje afatgjatë

08/04/2026 22:34

SHBA dhe Irani njoftuan një marrëveshje për armëpushim dyjavësh, por tensionet në Lindjen e Mesme nuk u qetësuan.

Disa orë pas nënshkrimit të akordit, Teherani bllokoi sërish Ngushticën e Hormuzit, duke fajësuar Izraelin për sulmet e tij mbi Libanin.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, Izraeli hodhi 160 bomba mbi Bejrut në vetëm 10 minuta, duke rritur sërish tensionin në rajon.
Megjithatë, negociatat zyrtare për paqen do të fillojnë të shtunën në Islamabad, në Pakistan. Zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance do të udhëheqë delegacionin amerikan.

Në konferencën e për shtyp, Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, konfirmoi pjesëmarrjen e Jared Kushner dhe të dërguarit të posaçëm Steve Witkoff në bisedime.

Nga ana tjetër, kryetari i parlamentit iranian, Mohammed Ghalibaf, publikoi një deklaratë duke akuzuar SHBA-të për shkelje të tre nga dhjetë pikat e armëpushimit. Ai theksoi se SHBA dhe Izraeli kishin përdorur dronë për të sulmuar hapësirën ajrore iraniane, kishin ndërhyrë në Liban dhe kishin mohuar Iranit të drejtën për të pasuruar uranium. “Në këto kushte, një armëpushim dypalësh ose negociata janë të paarsyeshme,” përfundoi Ghalibaf.

Top Channel