Kina pas marrëveshjes SHBA-Iran? The Economist: Nuk veproi vetëm Pakistani

08/04/2026 15:47

Pakistani u kthye në ndërmjetësin qendror të armëpushimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të arritur pikërisht atëherë kur bota mbajti frymën në mesin e kërcënimeve të presidentit Donald Trump për “fshirjen e një civilizimi të tërë”.

Por kanë nisur të ngrihen pyetje lidhur mbi atë që e mundësoi vërtet marrëveshjen: ishte Pakistani me diplomacinë e tij aktive, apo Kina që veproi fshehurazi në hije, shkruan The Economist. Revista prestigjoze e nënvizon se roli i Islamabadadit ishte më i dukshëm, por edhe Pekini mund të ketë pasur ndikim. Vetë presidenti Donald Trump në një postim në Truth Social, vendimin për armëpushim e lidhi drejtpërdrejt me përpjekjet e Pakistanit. Ai tha se kishte pranuar të ndalonte sulmet ndaj Iranit, duke marrë parasysh kërkesat e Kryeministrit Shehbaz Sharif dhe marshallit Asim Munir për hapjen e sigurt të Gjirit të Hormuzit.

Rolin e ndërmjetësit në konflikt Pakistani e përqafoi fillimisht në 26 mars kur ministri i Jashtëm Ishaq Dar konfirmoi se vendi i tij po tentonte bisedime indirekte SHBA-Iran, e më tej, u hodh një hap më i dukshëm kur Kryeministri Sharif i kërkoi Trumpit të shtynte veprimet ushtarake për dy javë dhe të kërkonte nga Irani të lejonte kalimin e sigurt në Gjirin e Hormuzit. Postimi në rrjetet sociale, më pas i rishikuar, përputhej me armëpushimin dy-javor që shpalli Trump. Ndërkohë, presidenti amerikan në komentin e tij përmendi shkurtimisht edhe Kinën si factor me mundësi ndikimi, edhe pse nuk ka detaje publike mbi angazhimin e saj.

Kronologjia e ngjarjeve, sipas the Economist, tregon dy role Kina pas skenës dhe Pakistani si ndërmjetës i vazhdueshëm. Në raundin e ardhshëm të bisedimeve mund të sqarohet se cili rol ishte vendimtar. Kina është një nga blerësit më të mëdhenj të naftës së Iranit e një pushimzjarri ndihmon  të ruhet qarkullimi i saj pa ndërprerje.

E ndërkohë, Pekini që ka marrëdhënie të forta ekonomike dhe strategjike me Iranin, duke ndihmuar negociatat edhe pse në hije, rrit imazhin si lojtar global i besueshëm në zgjidhjen e konflikteve.

 

Top Channel