Inside Story/ Ekskluzive, zbulohen bakteret e rrezikshme në sallat operatore
Në Spitalin e Traumës koha nuk matet me minuta, por me jetë që shpëtohen apo humbasin. Çdo sekondë që kalon në urgjencë është një betejë mes jetës dhe vdekjes.
Sirenat çajnë heshtjen e natës, kaosin e ditës, ndërsa dyert hapen pa paralajmërim për histori që askush nuk i kishte planifikuar: aksidente, plagosje, trupa të thyer dhe fate të pezulluara në një fije të hollë. Këtu, nuk ka luks për hezitim. Mjekët dhe infermierët nuk kanë kohë të mendojnë gjatë, ata duhet të veprojnë.
“Ka qenë e marta në darkë që u aksidentova dhe operacioni mund të bëhej vetëm ditën e hënë se po rikonstruktohej salla e operacionit në Ushtarak”, u shpreh qytetari.
“U shpjegua që ka shumë në pritje dhe koha më e afërt që ju mund të bëni operacion është dita e hënë, se bëheshin një herë në 3 ditë. Nuk bëhej çdo ditë operacion për shkak të kushteve jo të favorshme për sallat”, shtoi qytetari.
Ky është vetëm një prej mijëra qytetarëve që do të duhet të marrin shërbimin në Spitalin e vetëm të Traumës në vend, por detyrohen të shkojnë në spitalet private për të marrë në kohë shërbimin. Në të kundërt, duhet të presin të paktën një javë duke duruar dhimbjet, siç rrëfen ky qytetar që u shtrua me urgjencë pas një aksidenti me motor, ku pësoi thyerje të rëndë në këmbë…
“Si do prisja unë tani një javë me këtë, nuk është se ishte një thyerje e vogël që të prisja një javë”, u shpreh qytetari.
“Patjetër, urgjenca në vetë fjalën e saj do të thotë që nuk pret. Nuk futesh dot në listë pritjeje urgjencën dhe urgjenca duhet të jetë e zbatueshme në momentin më të parë të mundshëm”, u shpreh mjeku, Ilir Alimehmeti.
“Po marrim rastin më të thjeshtë: përveç sikletit që kisha, i them një nga infermieret që do të më çonte në dhomë ‘të jap ndonjë lekë, vetëm më ço në një dhomë që të jem pak i qetë, me pak njerëz që nuk kanë dhimbje’, dhe i jap lekë. Ndërkohë më çon në një sallë ku ishin me më shumë dhimbje, që bërtisnin tërë natën nga sikleti dhe dhimbja që kishin”, u shpreh qytetari.
Duke parë kushtet e spitalit, kohën e gjatë të pritjes dhe duke u bazuar te informacionet se në salla ishin gjetur baktere të rrezikshme, të riut iu shtua edhe frika e marrjes së ndonjë infeksioni. Si shumë të tjerë, ai vendosi të largohej dhe t’i drejtohej privatit.
“Nëse ikim në privat, nuk është si në shtet që kostot gjoja i mbulon shteti, por 8500 euro ka qenë shuma që kam paguar për një frakturë poshtë kupës së gjurit”, u shpreh qytetari.
Në fakt, në spitalet private shërbejnë të njëjtët mjekë që i gjen edhe në spitalin publik. Pavarësisht se nuk ka një statistikë zyrtare mbi shifrat, shumica e pacientëve që shkojnë në privat i drejtohen rrjetit të spitalit amerikan ose Hygeia, që kanë pozitë dominuese në këtë sektor. Këtu është ironia e madhe e sistemit dhe dyshimi i fortë pse qytetarët shpesh herë detyrohen të presin për shërbimin në spitalin publik…
“Duke menduar që ishte kohë e gjatë dhe kisha dhimbje, mendova se duhej bërë më shpejt operacioni. Mendova që të prisja aq kohë të gjatë, duke pasur frikën se sallat janë në rikonstruksion dhe mund të merrja një infeksion, mendova të shkoja në privat”, u shpreh qytetari.
Ky është një rast i cili, falë mundësive financiare, pacienti ia doli të marrë shërbimin e domosdoshëm mjekësor në kohë. Por, nga ana tjetër, dëshmon se si pacientët, për shkak të rrethanave aty, detyrohen t’i drejtohen privatit.
Nga ana tjetër, Spitali i Traumës, në përgjigje të kërkesës sonë për informacion, pretendon se të gjithë pacientët po marrin shërbim në kohë.
Trauma: Që prej janarit 2026, në funksion është Blloku Operator i Urgjencës, i cili kryen edhe operacionet ortopedike të programuara. Dy salla operatore operojnë me dy turne për ndërhyrje të programuara. Në rast nevoje, do të mund të jenë në aktivitet edhe 24 orë, por deri tani kjo nuk ka qenë e nevojshme. Dy salla të tjera janë në gatishmëri 24 orë për urgjencën e traumës, me të njëjtin kapacitet si në çdo kohë. Në asnjë rast nuk kemi pasur mungesë apo cenim të shërbimit për qytetarët.
Top Channel