Aksident tragjik në Itali/ Humb jetën 62-vjeçarja shqiptare, në gjendje të rëndë bashkëshorti i saj

08/04/2026 16:55

Një aksident i rëndë që ka ndodhur pranë Ankona Nord në Itali, është kthyer në tragjedi për një familje shqiptare që po kthehej nga pushimet e Pashkëve.

Viktima është Merita Qemali, 62 vjeçe, me origjinë shqiptare, e cila ndërroi jetë pak pas mbërritjes në urgjencën e spitalit të Torrette-s, si pasojë e plagëve të rënda të marra në aksidentin e ndodhur gjatë natës, shkruajnë mediat.

Në automjetin tip “Ford Focus” udhëtonin dhe tre persona të tjerë veç Meritës: bashkëshorti i saj, një 49-vjeçar italian me banim në Chiaravalle, motra e saj 47-vjeçare dhe djali 10-vjeçar i drejtuesit.

Aksidenti ndodhi brenda tunelit Montedomini, mes daljeve Ancona Sud dhe Ancona Nord. Automjeti u përplas me një kamion që po lëvizte me shpejtësi të ulët në korsinë e parë, pasi kishte pësuar një shpim gome. Në drejtimin e kamionit ishte një grua me origjinë rumune.

Dy nga të plagosurit mbetën të bllokuar në mjet dhe u nxorën nga zjarrfikësit.

Gjendja e 62-vjeçares ishte kritike që në vendngjarje dhe ajo u transportua me urgjencë në spital, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve. Tre personat e tjerë u dërguan gjithashtu në spital: 49-vjeçari iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe ndodhet në gjendje të rëndë, ndërsa motra e viktimës është operuar dhe ndodhet nën vëzhgim intensiv. Fëmija 10-vjeçar ka pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Top Channel