Tragjedi në ditën e Pashkëve në Gjermani/ Pema rrëzohet nga era e fortë, tre persona humbin jetën, mes tyre një foshnje

05/04/2026 22:01

Tre persona, mes tyre një nënë dhe foshnja e saj, humbën jetën tragjikisht të dielën e Pashkës pasi një pemë u rrëzua mbi një grup njerëzish që po kërkonin vezë në një pyll pranë Flensburgut, në veri të Gjermanisë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 11:00 në zonën Mittelangeln, ku për shkak të erërave të forta një pemë rreth 30 metra e lartë u rrëzua mbi ta. Katër persona mbetën të bllokuar nën pemë.

Në vendngjarje humbën jetën një 16-vjeçare dhe një 21-vjeçare, ndërsa vajza 10-muajshe e kësaj të fundit u dërgua me helikopter në spital, ku më vonë ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda.

Një tjetër vajzë 18-vjeçare mbeti e plagosur rëndë dhe u transportua me urgjencë në spital, ku iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale, ndërsa disa persona të tjerë pësuan lëndime të lehta. Sipas policisë, në momentin e ngjarjes në pyll ndodheshin rreth 50 persona.

Autoritetet dyshojnë se rrëzimi i pemës është shkaktuar nga kushtet e vështira atmosferike dhe erërat e forta, por hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë vijojnë.

Në vendngjarje ndërhynë dhjetëra forca shpëtimi, përfshirë zjarrfikës, policinë dhe një helikopter, ndërsa të pranishmëve iu ofrua ndihmë psikologjike. Sipas mediave, mbi 80 efektivë morën pjesë në operacionin e emergjencës.

Institucioni që kishte organizuar aktivitetin e përshkroi ngjarjen si një tragjedi të rëndë që tronditi komunitetin, ndërsa autoritetet gjermane shprehën ngushëllime për familjet e viktimave.

Top Channel