Ndërron jetë ish-drejtori i komanduar i burgut të Durrësit, Etmond Llabani

05/04/2026 18:12

Është ndarë nga jeta ish-drejtori i komanduar i Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Durrës, Etmond Llabani.

Ai kishte marrë detyrën në këtë institucion pas arratisjes së Altin Ndocit, duke u komanduar në krye të burgut në një moment të ndjeshëm për sigurinë.

Më herët, Llabani ka qenë drejtues dhe në burgun e Peqinit. Në janar të këtij viti, pak ditë pasi mori detyrën në Durrës, ai pësoi një hemorragji cerebrale, gjendje që ndikoi rëndë në shëndetin e tij dhe u dërgua në Itali. Pavarësisht përpjekjeve dhe trajtimit mjekësor në vendin fqinj, ai nuk arriti të mbijetojë. Lajmin e ka bërë me dije Drejtoria e Burgjeve.

“Pas një beteje të vështirë me shëndetin, kolegu ynë i nderuar, ish- drejtori i komanduar në IEVP Durrës Etmond Llabani u largua përgjithmonë nga kjo botë, por kujtimi i tij do të jetojë tek të gjithë ata që e njohën dhe punuan me të.
Etmondi ishte një njeri me vlera të çmuara njerëzore, i dashur e kudogjendur për të dhënë kontributin e tij, një koleg i palodhur e mbi të gjitha një baba i dashur e i përkushtuar. I shprehim ngushëllimet tona të sinqerta familjes, miqëve e shokëve dhe kolegëve të tij“-shkruan Drejtoria e Burgjeve.

Top Channel