“Siguria kombëtare nuk është çështje kafenesh”/ Paralajmërimi i Ambasadës së SHBA-së, Bardhi: Kërkojmë që Kryeministri të paraqitet në seancë

02/04/2026 10:27

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, u ndal te paralajmërimi i Ambasadës Amerikane për një sulm të mundshëm nga grupet terroriste të lidhura me Iranin.

Ai kërkoi interpelancë me Kryeministrin Edi Rama, duke e cilësuar këtë çështje si tepër të rëndësishme për qytetarët e Shqipërisë.

“Si pari, çështjet e sigurisë kombëtare nuk janë çështje kafenesh, janë çështje të Kuvendit të Shqipërisë. Sigurisht për të mos e përdorur për politikë dhe për të mos ngjallur asnjë shqetësim te qytetarët shqiptarë, ne nuk kemi asnjë informacion mbi çështjet që kishte njoftimi i Ambasadës së SHBA-ve.

Një qeveri që nuk arrin dot me radarë që nuk kontrollon tonelata nafte që hyjnë kontrabandë në Shqipëri. Një qeveri që nuk ka kapur asnjë gram kokainë edhe pse i kalon para syve. Një qeveri që nuk pa 98% të sipërfaqeve të lira të mbjella me kanabis sigurisht që nuk mund të jetë e besueshme. Përpjekjet për të diskretituar informacionin zyrtar të SHBA-ve si hamendësim, e bëjnë Shqipërinë qesharake në rastin më të mirë. Në rastin më të keq jep mesazhin që qeveria shqiptare nuk ka bashkëpunim me partnerin strategjik në fushën e sigurisë.

Mesazhi politik që dha dje Edi Rama, është që shqiptarët nuk duhet t’i besojnë SHBA-ve për çështjet e sigurisë dhe nuk duhet t’i kushtojnë vëmendje njoftimeve të tyre. Një tentativë për të diskredituar SHBA-në. Ne kërkojmë që Kryeministri të paraqitet menjëherë në seancën plenare.

Pse e cilësoi hamendësim paralajmërimin e SHBA-ve për synimet me vullnet të keq të Iranit në raport me Shqipërinë? A ka koordinim me partnerët ndërkombëtarë për çështjen? Çfarë masash parandaluese janë marrë dhe cilat janë masat e parashikuara në këtë çështje? Ju kujtoj që Kryeministri dhe ministrat e kanë për detyrë të shfaqen në seancë plenare kur thirren nga deputetët”, tha Bardhi.

Top Channel