Paralajmërimi i ambasadës së SHBA në Tiranë, ministri Lamallari: I kam kërkuar strukturave të antiterrorit të jenë në komunikim me zyrën e sigurisë së ambasadës

02/04/2026 10:35

Ministri i Brendshëm Besford Lamallari ka sqaruar se pas postimit të ambasadës amerikane në Tiranë i ka kërkuar strukturave të antiterrorit të jenë në komunikim me zyrën e sigurisë së ambasadës.

“Jo më larg se mbrëmjen e djeshme, i kam kërkuar strukturave të antiterrorit të jenë në komunikim me zyrën e sigurisë së ambasadës amerikane. Shqipëria dhe Policia e Shtetit prej kohësh kanë marrë masa të shtuara sigurie, bazuar në zhvillimet ndërkombëtare dhe konfliktin në Lindjen e Mesme.

Policia është e angazhuar plotësisht. Ky fakt nuk lidhet me postimin e djeshëm, pasi këto masa janë marrë më herët. Ekziston gjithashtu një plan veprimi që përfshin të gjitha strukturat përkatëse.

Shqipëria mbetet një vend i sigurt për qytetarët dhe turistët, pavarësisht postimeve që mund të lexoni dhe që vijnë nga Irani”, u shpreh Lamallari.

Top Channel