Tragjike në Rusi/ Avioni ushtarak përplaset me një shkëmb dhe rrëzohet, humbin jetën 29 persona Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që synon të kufizojë votimin me postë, një nga mënyrat më të përdorura të votimit në zgjedhjet amerikane.
Ky vendim vjen në vijim të deklaratave të përsëritura të Trump, i cili ka hedhur dyshime për integritetin e zgjedhjeve, duke pretenduar pa prova se votimi me postë favorizon manipulimet.
Megjithatë, ekspertët dhe institucionet zgjedhore në SHBA kanë theksuar vazhdimisht se nuk ka prova të besueshme për manipulime të gjera në zgjedhje.
Urdhri i ri pritet të përballet me sfida të menjëhershme ligjore, pasi mbetet e paqartë nëse presidenti ka kompetencë për të ndërhyrë në rregullat e administrimit të zgjedhjeve, të cilat sipas Kushtetutës janë kryesisht në kompetencë të shteteve. Avokati i njohur i demokratëve, Marc Elias, paralajmëroi se vendimi do të sfidohet në gjykatë.
“Do të padisim. Nuk bëj blof dhe zakonisht fitoj”, u shpreh ai. Vendimi vjen në një moment delikat politik, ndërsa republikanët përballen me rrezikun për të humbur kontrollin e Kongresit në zgjedhjet e ndërmjetme të nëntorit. Nëse demokratët fitojnë shumicën, ata kanë paralajmëruar se mund të bllokojnë axhendën e Trump dhe madje të nisin procedura për shkarkimin e tij.
Ndërkohë, përpjekjet e republikanëve për të kaluar një paketë më të gjerë kufizimesh zgjedhore, të njohur si “SAVE America Act”, kanë dështuar në Kongres. Propozimet përfshijnë kërkesën për identifikim me foto dhe prova shtetësie për regjistrimin e votuesve, masa që sipas ekspertëve mund të përjashtojnë miliona amerikanë nga pjesëmarrja në zgjedhje.
Sipas analizave, mbi 21 milionë amerikanë nuk kanë akses të lehtë në dokumente të tilla, çka ngre shqetësime për ndikimin në pjesëmarrjen elektorale.
Top Channel