Prokuroria Evropiane ka dërguar në Parlamentin grek një dosje voluminoze që lidhet me një rrjet të organizuar mashtrimi me fondet bujqësore, skandal ky që ka goditur rëndë reputacionin e Qyriakos Mitsotakis, kryeministrit të vendit.

Mësohet se është kërkuar heqja e imunitetit për 11 deputetë aktivë, emrat e të cilëve do të publikohen gjatë orëve në vazhdim.

Siç raporton gazetari Artur Bibe, gjithashtu, nën hetim janë edhe 5 ish-deputetë të cilët akuzohen se kanë pasur lidhje direkte ose indirekte me skandalin e fondeve të BE për bujqësinë.

Prokuroria ka përcjellë informacione për përfshirjen e mundshme të një ish-ministri dhe një ish-zëvendësministri të Zhvillimit Rural dhe Ushqimit në këtë skandal.

Hetimi fokusohet në ngjarje të vitit 2021 dhe përfshin vepra penale si nxitje për shpërdorim besimi, mashtrim kompjuterik, vërtetim i rremë me qëllim përfitimin e paligjshëm.

Prokuroria europiane ka hasur pengesë në legjislacionin vendas, pasi për shkak të nenit 86 të Kushtetutës ministrat dhe ish-ministrat kanë amnisti penale për pakujdeshmëritë ose shkeljet e tyre apo të vartësve të tyre gjatë periudhës që ata kanë qenë në detyrë, për shkak të ndarjes së përgjegjësisë penale dhe politike të individëve, një manovër politike e përdorur rëndom gjatë viteve të fundit, cka ka lënë jashtë hetimeve ose ka amnistuar persona me përgjegjësi politike për vepra të ndryshme penale në vend.

Ndaj prokuroria europiane u detyrua të ndajë hetimin për anëtarët e qeverisë dhe t’ia kalojë materialin direkt Parlamentit, i cili pritet të vendosë nëse do të pranojë t’ju heqë imunitetin deputetëve, apo do t’i qëndrojë besnik qëndrimit të qeverisë konservatore të Mitsotakis për t’i mbrojtur personat e përfshirë në një prej skandaleve më të mëdha të shpërdorimit të fondeve të Bashkimit Europian.

Top Channel