Ryanair hap bazë me katër avionë, investon 400 mln USD në Tiranë, 44 linja dhe 4 milionë pasagjerë në 2026

01/04/2026 15:19

Ryanair, linja ajrore e vetme me tarifa të ulëta në Shqipëri, sot çeli zyrtarisht bazën me 4 avionë, një investim prej 400 milionë USD në TIA.

Në sezonin veror 2026, Ryanair do të operojë 44 destinacione dhe do të realizojë një rritje rekord të trafikut me 50%, duke arritur në 4 milionë pasagjerë në Tiranë.

Ky zhvillim është rezultat i drejtpërdrejtë i politikave mbështetëse të Qeverisë Shqiptare dhe të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, të cilat e inkurajuan Ryanair të hapë 21 linja të reja këtë verë.

Hapja e bazës krijon mbi 3,000 vende pune, përfshirë 120 vende të reja pune me paga të larta për pilotë, inxhinierë dhe staf kabine, të gjithë të bazuar në Tiranë.

Programi i Ryanair për Tiranën në sezonin veror 2026 do të ofrojë:

4 avionë të bazuar – investim 400 milionë USD

44 linja, 21 të reja, përfshirë Alghero, Dublin, Eindhoven, Genoa, Malta, Milano & Napoli

Rritje trafiku në 4 milionë pasagjerë në vit (mbi 50%)

Mbështetje për mbi 3,000 vende pune në Shqipëri

Zgjedhje të pakonkurrueshme me tarifa të ulëta për qytetarët/vizitorët

Aviacioni në Shqipëri ka shënuar rritjen më të shpejtë në Evropë pas Covidit, me rezultate të jashtëzakonshme të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës. Gjatë 5 viteve të ardhshme, Ryanair do të vazhdojë këtë investim, duke zgjeruar bazën deri në 6 avionë B737 (investim 600 milionë USD) në Tiranë, me synimin për të arritur 6 milionë pasagjerë në vit dhe 60 destinacione, bazuar në politikat stimuluese të Qeverisë Shqiptare dhe të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, të cilat nxisin rritjen e trafikut ajror dhe turizmit në vend.

Michael O’Leary, Drejtori Ekzekutiv i Ryanair thotë: “Këtë vit po hapim destinacione të reja në Dublin, Irlandë, Eindhoven në Hollandë, kështu që mendoj se do të shikoni shumë turistë të rinj që do të vijnë në Shqipëri. Të gjithë në Evropë janë në kërkim të një destinacioni të ri për të vizituar, dhe Shqipëria është një nga xhevahiret e pazbuluara të turizmit europian. Ajo që e ka kufizuar Shqipërinë vitet e fundit ka qenë mungesa e aksesit dhe çmimet e shtrenjta. Tani ka shumë akses, Ryanair ka 44 destinacione këtë vit, por me çmime shumë të lira, duke nisur nga 22 euro. Të gjithë do të mund ta përballojnë tani që të vijnë dhe vizitojnë Shqipërinë e bukur, dhe shqiptarët do të përballojnë të shkojnë dhe të vizitojnë miqtë dhe familjarët që jetojnë në Evropë.”

Piervittorio Farabbi, Drejtor i Operacioneve të Aeroportit të Tiranës shprehet: “Jemi krenarë të mbështesim rritjen e Ryanair në Shqipëri, duke kontribuar së bashku në shtimin e sa më shumë destinacioneve direkte, të cilat krijojnë mundësi të reja për turizmin dhe hapjen e vendeve të punës. Presim me padurim të zhvillojmë më tej këtë partneritet dhe të vazhdojmë të rritemi së bashku në vitet në vijim.”

Për çeljen e bazës me 4 avionë në Tiranë dhe 21 linjat e reja për verën 2026, Ryanair ka lançuar një ofertë 3-ditore biletash me çmime që nisin nga vetëm 21.99€, të disponueshme për rezervim tani përmes aplikacionit Ryanair.

Top Channel