Presidenti iranian publikon letrën e hapur për amerikanët: Ne nuk e nisëm këtë luftë, SHBA nuk ka prova për kërcënim nga Irani

01/04/2026 21:34

Presidenti iranian Masoud Pezheskian ka publikuar një letër të hapur drejtuar qytetarëve amerikanë, ku thekson se Irani nuk ka nisur asnjë luftë dhe nuk përbën kërcënim për sigurinë rajonale.

Ai shpreh se paraqitja e vendit të tij si kërcënim është e pabazuar dhe lidhet me interesa politike dhe ekonomike të fuqive të jashtme.

Pezheskian kujtoi historinë e gjatë dhe paqësore të Iranit, duke përmendur ndërhyrjet e huaja, përfshirë grushtin e shtetit të vitit 1953 kundër kryeministrit Mohammad Mossadegh dhe mbështetjen për regjimin e Reza Shah Pahlavi. Ai gjithashtu kritikoi përfshirjen amerikane gjatë luftës Iran-Irak dhe sanksionet që kanë rënduar jetën e qytetarëve iranianë.

Duke komentuar konfliktin aktual me SHBA dhe Izraelin, Pezheskian pyet: “A kishte ndonjë kërcënim objektiv nga Irani që të justifikonte sulmet amerikane?” Ai akuzoi SHBA-në se vepron si “përfaqësuese e Izraelit”, duke ndjekur interesa të paligjshme dhe duke vendosur barrën e luftës mbi qytetarët iranianë dhe amerikanë.

Sipas presidentit iranian, përplasjet ushtarake aktuale nuk shërbejnë për paqe apo siguri, por për të përforcuar dominimin ushtarak dhe politik të disa fuqive në rajon. Pezheskian përfundon mesazhin e tij duke sfiduar narrativin se Irani është kërcënim dhe duke e paraqitur vendin e tij si viktimë të politikave të jashtme.

Top Channel