Tentuan të merrnin peng një 17-vjeçar dhe e goditën me thikë, arrestohen dy të rinj në Pogradec
Sot u mbajt seanca gjyqësore e themelit për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn dhe 29 të tjerët.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raportoi më herët se Veliaj nuk u paraqit, por të pranishëm ishin dy prokurorët e çështjes.
“Veliaj ka bërë një deklaratë ku thotë ‘dëshiroj të përfaqësohem nga avokati i tij Plarent Ndreca, i cili është i pranishëm’”, u shpreh gjykata në nisje të seancës.
Ajola Xoxa dhe ish-deputetja Klotilda Bushka munguan në seancë, por u përfaqësuan nga mbrojtësit e tyre. I pranishëm nga të pandehurit ishte vetëm Elman Abule.
Po ashtu mungoi ish-polici Fatjon Baci, por edhe avokati i tij Artan Simoni. Gjykata pyeti prokurorët si të procedohej për nisjen e gjykimit kur njëri nga të pandehurit nuk ka as avokatin në sallë. Avokati Sokol Hazizaj ndërhyri dhe tha: “I kërkoj gjykatës veçimin e çështjes për klientin e tij të pandehurin Fatmir Bektashi.”
Seanca u shty për në datën 3 prill ora 09:00.
Diskutime nga seanca:
Gjatë seancës, Prokurori i SPAK, Ols Dado, u shpreh: “Po shohim që po ndjekin një strategji për të shtyrë procesin. Kemi tetë muaj. E veçuar si kërkesë kjo e Hazizaj nuk paraqet ndonjë interes për ekonominë gjyqësore, vetëm nëse kërkohet gjykim i shkurtuar.”
Hazizaj: “Unë bëra kërkesë fare të thjeshtë, edhe për ekonomi gjyqësore, por edhe referuar ligjit. Vlerësoj se jemi në momentin që gjykata të shprehet për ndarjen e çështjes për klientin tim.”
Avokati i Erion Veliaj: “Prokurori po kërkon të bëjë bashkë kohët, edhe gjykimin paraprak edhe themelin, për të krijuar idenë e zgjatjes në kohë. Kushtetuta përmend procesin e rregullt ligjor. Patjetër që jemi për ekonomi gjyqësore, por në asnjë rast në kurriz të të pandehurve. Kërkesa për të shtyrë seancën nga avokati Simoni, i cili mungon, mendoj që duhet të merret parasysh që të jenë të gjithë në seancë.”
Gjykata: “Në lidhje me kërkesën e Sokol Hazizaj do shprehemi më vonë.”
Gjykata: “Sa i takon se nuk është i pranishëm Fatjon Baci dhe avokati i tij Artan Simoni, gjykata vendosi t’i caktojë një të pandehurit një mbrojtës tjetër, që është Pranvera Doci, e cila do njoftohet dhe duhet të jetë e pranishme në seancën e radhës. Në seancën e radhës të kryhet shoqërimi i detyrueshëm i të pandehurit Fatjon Baci.”
Shtyrja e seancës së sotme sjell edhe pezullimin e afateve të paraburgimit për të pandehurit që janë me masa sigurie.
Top Channel