Tragjike në Rusi/ Avioni ushtarak përplaset me një shkëmb dhe rrëzohet, humbin jetën 29 persona Parlamenti izraelit miratoi një ligj të ri që parashikon dënimin me vdekje si masë standarde për palestinezët e dënuar për sulme vdekjeprurëse të cilësuara si terrorizëm.
Ligji, i miratuar të hënën, do të zbatohet kryesisht në Bregun Perëndimor, ku palestinezët gjykohen në gjykata ushtarake izraelite, duke krijuar sipas kritikëve një sistem të veçantë dhe më të ashpër drejtësie.
Vendimi ka nxitur protesta në Ramallah, ku dhjetëra aktivistë dhe qytetarë dolën në rrugë kundër masës. Shumë prej tyre mbanin pankarta me mesazhe kundër ekzekutimeve dhe portrete të të burgosurve palestinezë. “Stop ligjit për ekzekutimin e të burgosurve para se të jetë tepër vonë,” lexohej në disa prej pankartave.
Familjarët e të burgosurve shprehën frikë për të ardhmen. Një nënë, Maisoun Shawamreh, tha se nuk kishte fjetur gjithë natën nga ankthi për fatin e djalit të saj, i cili ndodhet në paraburgim prej tre vitesh. Kritikat kanë ardhur edhe nga organizata ndërkombëtare. OKB e cilësoi ligjin si “mizor dhe diskriminues”, ndërsa paralajmëroi se ai mund të dëmtojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Izraelit. Edhe brenda vetë Izraelit ka pasur kundërshtime.
Protestues u mblodhën para parlamentit në Jerusalem, duke e cilësuar ligjin si të papranueshëm dhe diskriminues. Megjithatë, mbështetësit e ligjit argumentojnë se masa është e nevojshme për të parandaluar sulme të tjera dhe për të garantuar sigurinë.
Ndërkohë, organizata të të drejtave të njeriut dhe disa deputetë kanë dorëzuar padi në Gjykatën e Lartë izraelite për të rrëzuar ligjin, duke argumentuar se ai bie ndesh me parimet kushtetuese dhe ndalon diskriminimin arbitrar.
Top Channel