Investimet e Kastratit transformojnë ‘TIA’, shtohen pasagjerët dhe ulen çmimet

01/04/2026 15:22

Transformimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës në 5-vjeçarin e fundit është një nga shembujt më të qartë se si investimet strategjike mund të ndryshojnë jo vetëm një infrastrukturë, por të gjithë sektorin e aviacionit.

Në qendër të këtij transformimi qëndron Grupi Kastrati, i cili duke nisur menjëherë nga viti 2020, ka ndërmarrë një valë investimesh që kanë rikonfiguruar funksionimin dhe kapacitetet e aeroportit, duke ndikuar drejtpërdrejt në një rritje historike të numrit të pasagjerëve dhe duke e kurorëzuar TIA-n si aeroportin me rritjen më të shpejtë në Evropë.

Por, jo vetëm kaq, të gjitha këto investime, përmirësimi i infrastrukturës dhe zgjerimi i kapaciteteve kanë sjellë një ulje drastike të çmimeve të biletave, rritje të konkurrencës dhe shtim të destinacioneve të reja direkte nga viti në vit.

Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 2020-2025, Grupi Kastrati ka investuar rreth 110 milionë euro, përafërsisht 22 milionë euro në vit, duke u fokusuar në modernizimin e infrastrukturës së aeroportit dhe rritjen e eficiencës operacionale. Ky investim erdhi në një moment kyç, kur aeroporti kishte nevojë për një vizion të ri zhvillimi, përtej modelit tradicional të menaxhimit.

Ndërhyrjet përfshinë zgjerimin e terminalit, përmirësimin e shërbimeve dhe rritjen e kapaciteteve për përballimin e flukseve në rritje, si edhe investime në proceset e digjitalizimit.

Në vijim, plani ambicioz i investimeve për periudhën 2026–2028, me një vlerë prej 152 milionë eurosh, e çon totalin e angazhimit të Grupit Kastrati në nivele që tejkalojnë ndjeshëm fazat e mëparshme të zhvillimit të aeroportit. Në total, krahasuar me periudhat e mëparshme koncesionare, vlera e investimeve të Grupit Kastrati përfaqëson një rritje prej rreth 249%, një tregues i qartë i intensitetit dhe ritmit të ri të zhvillimit.

Në thelb, investimet e Grupit Kastrati kanë krijuar një cikël pozitiv zhvillimi: më shumë kapacitete sjellin më shumë kompani ajrore, rritja e konkurrencës ka sjellë uljen e çmimeve dhe çmimet më të ulëta kanë rritur kërkesën.

Ky mekanizëm ka bërë që aeroporti të mos jetë më një pikë e shtrenjtë hyrjeje, por një portë më e aksesueshme për qytetarët dhe bizneset, madje edhe për mijëra qytetarë nga vendet e rajonit, nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në rritjen e turizmit dhe lidhjeve ekonomike të Shqipërisë me rajonin dhe Europën.

Top Channel